Faqja e Trustit është e pasigurt dhe janë në rrezik të dhënat personale të qytetarëve, të cilët janë në pritje që të aplikojnë për 10-përqindëshin.
“Lidhja juaj nuk është private. Sulmuesit mund të jenë duke provuar që të vjedhin informatat tuaja nga ‘www.trusti10.org’ (shembull: fjalëkalimet, mesazhet apo kredit kartat)”, është teksti që shfaqet kur klikoni këtë faqe që tashmë ka rënë.
Gjithashtu edhe në afërsi të linkut të hapur në Chrome shkruan se kjo “është e pasigurt”.
Ruzhdi Morina nga Trusti ka thënë për REL se ka pasur sulm kibernetik, prandaj edhe ka rënë faqja.
“Bëhet fjalë për sulm kibernetik dhe jo mbingarkesa nga qytetarët. Besoj se për disa minuta faqja do rregullohet”, tha kryesuesi i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale, Ruzhdi Morina.
Pas dështimit të faqes kryesore për tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti, Fondi i Kursimeve Pensionale postoi një uebfaqe tjetër. Megjithatë, ky zëvendësim nuk është pritur mirë nga ekspertë të teknologjisë informative.
“Wooowww, certifikata *.rks-gov.net paska fluturuar në servera të Azures. A keni ide sa kritike është siguria e certifikatës *.rks-gov.net? A e keni idenë çfarë përgjegjësie keni marrë mbi vete duke e transferuar private keyn në infrastrukturën e një pale të tretë?” ka shkruar eksperti Hekuran Doli në Facebook duke pyetur edhe Njësinë Nacionale për Siguri Kibernetike dhe Zafir Berishën, koordinator nacional për siguri kibernetike, se “çka po lyp certifikata e RKS-GOV në https://bentenapp.azurewebsites.net/ ? A nuk ish deshtë kjo me u siguru mirë e mirë brenda infrastruktures qeveritare a?”

