Për 20 vjet me radhë familjarëve të personave të pagjetur u janë shkelur të drejtat e tyre.
Kështu është thënë në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
Udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Qerkini, ka thënë zbardhja e fatit të familjarëve të tyre të pagjetur ka mbetur në udhëkryq.
“Nuk kemi marrë asnjë informatë as ku gjenden trupat apo eshtrat e tyre, e dimë që nuk janë gjallë, por ne kemi të drejtë ta dimë se ku janë dhe çfarë ka ndodhur me ta. Ne këtu gjendemi për këtë arsye dhe t’i pyesim njerëzit që janë kompetentë të na japin përgjigje...Ne gjendemi në udhëkryq, nuk e dimë se ku jemi, jeta jonë nuk është jeta e njerëzve normal, na është cenuar jeta normale”, ka thënë Milorad Trifunoviq nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur.
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, ka theksuar se zgjidhja e kësaj çështjeje është përmbushje e të drejtave të njeriut.
“Ambasada britanike së bashku me partnerin tonë UNDP do të punojë që të mbështesë qeverinë e Kosovës që të bëjë adaptimin e nën ligjeve të cilat janë të nevojshme, të sigurojë asistencë te qeveria dhe të bëjë në mënyrë publike informacionet adekuate në procesin e lokalizimit dhe identifikimin e personave të pagjetur, të rrisë bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Serbisë nën procesin e Berlinit dhe që të promovojë çështjen e personave të zhdukur si një brengë e përbashkët”, ka thënë Abbott.
Por, për institucionet e Kosovës, pengesë kryesore për gjetjen e personave të zhdukur vazhdon të jetë Serbia.
20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ende nuk dihet për fatin e 1 mijë e 650 personave, të cilët konsiderohen të pagjetur nga periudha ‘98-99’.