Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

EWB për raportet e progresit në Ballkan: Kosova me rritjen më të madhe këtë vit

Raportet vjetore të Komisionit Evropian, të publikuara të martën, tregojnë se krahasuar me vitin 2022, Shqipëria ka rritur nivelin e përgatitjes në gjashtë kapituj negociator, ndërsa Kosova në pesë. Maqedonia e Veriut dhe Serbia e rritën nivelin e përgatitjes me nga një kapitull, ndërsa në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë nuk kanë pasur asnjë ndryshim, raportoi të enjten “EWB”.

“European Western Balkans” ka llogaritur nivelin mesatar të gatishmërisë për çdo vend të rajonit, bazuar në raportet e publikuara të mërkurën.

Mali i Zi mbetet i pari në rajon, me notën mesatare 3.12, në shkallën nga 1 në 5. Megjithatë, nuk ka pasur ndryshime në nivelin e përgatitjes në krahasim me vitin e kaluar, kështu që nota mesatare mbetet e njëjtë.

Sipas raportimit, Serbia ka rritur nivelin e përgatitjes në Kapitullin 17: Politika ekonomike dhe monetare, nga “mesatarisht e përgatitur” - ekuivalente me notën 3, në “ndërmjet një niveli përgatitjeje të moderuar dhe të mirë” – apo me notën me 3.5. Kjo ka rritur notën e saj të përgjithshme nga 3.03 në 3.05.

Në Maqedoninë e Veriut, po ashtu, i njëjti kapitull mori të njëjtin përmirësim sa i përket nivelit të përgatitjes, duke e ngritur notën mesatare të vendit nga 3.02 në 3.03.

Shqipëria ka arritur një ndryshim në nivelin e gatishmërisë në gjashtë kapituj. Në Kapitullin 7: Ligji i Pronësisë Intelektuale, Kapitullin 9: Shërbimet financiare, Kapitullin 13: Peshkimi dhe akuakultura, Kapitullin 15: Energjia, Kapitullin 17: Politika ekonomike dhe monetare dhe Kapitullin 19: Politika sociale dhe punësimi.

Edhe Shqipëria mbyll sot tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në Arbëri 1 j. më parë Shqipëria mbyll sot tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në

Këto ndryshime kanë rritur notën e përgjithshme të Shqipërisë nga 2.64 në 2.74 në shkallën 1 deri në 5.

Kosova është vendi që ka shënuar rritjen më të madhe në notën e saj – nga 1.85 në 1.98. Nota e saj është përmirësuar në pesë kapituj negociues. Bëhet fjalë për Kapitullin 1: Lëvizja e lirë e mallrave, Kapitullin 4: Lëvizja e lirë e kapitalit, Kapitullin 7: Ligji për pronësinë intelektuale, Kapitullin 12: Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare dhe Kapitullin 26: Arsimi dhe kultura.

Së fundi, Bosnja dhe Hercegovina nuk ka parë ndonjë ndryshim në nivelin e përgatitjes. Nota mesatare e saj është 1.67, e njëjtë me vitin e kaluar.