Si pasojë e erërave të forta dhe të borës, gjatë kësaj jave është rrëzuar një lis në lagjen “Dardania” të Prishtinës.
Megjithëse nuk ka shkaktuar dëme në automjetet që ishin përreth, një dukuri e tillë ndodh shpesh në Kosovë me rastin e përkeqësimit të motit.
Me të njoftuar organet kompetente kanë dalë për ta larguar atë. Por, rrezik është paraparë edhe nga dy lisa të tjerë në këtë lagje, të cilët kanë nisur të mos qëndrojnë si duhet. Për të parandaluar ndonjë dëm, policia ka vendosur shirit në hapësirën rreth tyre dhe i ka detyruar veturat të mos parkohen aty.
E rreziku që vjen nga drunjtë e vjetër të vendosur afër ndërtesave është mjaft i madh.
Komuna e Prishtinës thotë se drunjtë që kanë lëvizur nuk mund t’i largojnë. Sipas Drejtoreshës për Shërbime Publike, Medina Braha janë bërë analizat e nevojshme dhe për momentin ato nuk paraqesin rrezik.
“Pishat i kemi në Dardani të cilat janë ndoshta më të mëdha në atë pjesë, për shkak të borës janë rënduar dhe janë lëshuar. Kanë qenë rrezik për veturat aty. Menjëherë atë natë kemi intervenuar duke larguar veturat. Pastaj e kemi larguar borën. Pastaj kemi analizuar nëse ato mund të paraqesin rrezik dhe është vlerësuar se për momentin ato nuk mund të paraqesin rrezik apo shkaktojnë ndonjë dëm dhe normalisht do mbikëqyren kur ka të reshura”, ka thënë Braha.
Por në anën tjetër, njohësi i agrikulturës, Qazim Kukalaj, thotë se në rastin konkret, prerja e drurit nuk është bërë në mënyrë adekuate.
“Nëse është thyer kërcelli, ai dru nuk duhet të pritet si në rastin konkret nuk e di me çfarë qëllimi e kanë lënë. Ai duhet të nxirret dhe të zëvendësohet me një dru tjetër”, ka thënë ai.
Ndërsa, për të evituar rënien e drunjve thotë se duhet të bëhen sa më shpesh kontrolle të tyre, në mënyrë që të zëvendësohen me të tjerë.
“Ndërmarrjet përkatëse, përgjegjëse për mirëmbajtjen e parqeve duhet në mënyrë të vazhdueshme ta kontrollojnë gjendjen shëndetësore të drunjve, sepse po rrezikohen për rënie. Drunjtë e vjetër zakonisht ruhen shumë herë edhe si monumente të parqeve sepse lidhen me trashëgimi kulturore, dhe nëse ka filluar procesi i kalbjes dhe vjen deri te thyerja. Në shumë vende përdoret vendosja e argjilës në mënyrë të mos pengojnë procesin e kalbjes”, tha Kukalaj.
Por, Fatime Hajdari nga Drejtoria e Parqeve thotë se në vazhdimësi bëhet vlerësimi i drunjve, por në këtë rast janë rrëzuar shkaku i motit të dobët.
“Arsyeja pse vjen deri të thyerja e këtyre degëve është për shkak të shpejtësisë së borës që ka rënë. Kemi pasur ekipet që i kanë bërë shkundjet e tyre të mos vijnë deri të thyerjet. Fatmirësisht janë sanuar të gjitha dhe nuk rrezikojnë më për dëme”, tha Hajdari.
Përveç rastit në Dardani, erërat dhe bora e fundit ka rrëzuar edhe 10 drunj të tjerë në kryeqytet. Komuna thotë se është duke bërë vlerësimin e dëmeve që kanë arritur të shkaktojnë ato.