Kongresmeni amerikan Eliot Engel, në kuadër të vizitave të tij në Kosovë ka qëndruar edhe në kompaninë prodhuese KIVO në Kaçanik.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Patricia Ennis, bashkëpunëtorët e ngushtë, biznesmeni shqiptaro-amerikan, Hari Bajraktari, përfaqësues të USAID dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, Engel u njoftua me të arriturat e kompanisë, e cila është njëra ndër storiet më të suksesshme të investimeve në Kosovë, thuhet në komunikatën e dërguar nga OEAK.
Sipas njoftimit, bashkëthemeluesi i kompanisë KIVO, Visar Ramajli, informoi kongresmenin Engel lidhur me funksionimin e kompanisë, si dhe mundësitë e të bërit biznes në Kosovë. Ai falënderoi kongresmenin Engel për kontributin e tij të rëndësishëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ramajli, i cili është edhe sekretar gjeneral i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, theksoi se tani është momenti që në Uashington të flitet për nevojën e rritjes së investimeve amerikane në Kosovë, duke shtuar se përgjatë viteve ka pasur përmirësim të madh në mjedisin e të bërit biznes në Kosovë.
Në anën tjetër, i impresionuar me të arriturat e kompanisë, kongresmeni Eliot Engel tha se storiet e tilla të suksesit janë pasqyrimi i vërtetë i shpirtit të kosovarëve. Ai u shpreh krenar me angazhimin e tij për Kosovën, duke shtuar se edhe pas 30 viteve të karrierës së tij politike, sërish do ta vinte Kosovën në krye të prioriteteve të tij.
Kongresmeni Eliot Engel qëndroi ditëve të fundit në Kosovë, ku mes tjerash mori pjesë edhe në përurimin e ndërtesës së re të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.