Arbëri

Emisarja britanike për Kosovën e Serbinë: S’duhet qasje e re, mjafton zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese

Karen Pearce

E dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pearce, ka thënë se nuk ka nevojë për zgjidhje magjike për çështjen mes Kosovës dhe Serbisë pasi siç thotë ajo, mjafton që të zbatohen marrëveshjet ekzistuese – ajo e Brukselit dhe Ohrit.

Pearce po kthehet në rajon pas gati 30 vjetësh – për herë të tretë në karrierën e saj diplomatike.

Pearce, e cila deri në vitin 2006 kishte shërbyer si koordinatore për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme britanike, thotë se po e merr këtë rol me entuziazëm të madh dhe përvojë të thellë në çështjet rajonale.

“Nuk mendoj se kemi nevojë për një qasje të re apo ndonjë zgjidhje magjike që do të zgjidhte problemet në Bosnje e Hercegovinë, apo në çështjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi ajo, transmeton BBC në gjuhën serbe.

Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit janë të bllokuara prej muajsh dhe që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në pranverën e vitit 2024, nuk ka pasur kontakte të rëndësishme mes liderëve të të dyja palëve. Pierce theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese.

“Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit përmbajnë ide shumë të mira. Ato nuk janë marrëveshje teorike, por adresojnë çështje shumë praktike si liria e lëvizjes, qasja dhe pjesëmarrja. Është jetike që politikanët t’i zbatojnë ato për të ndihmuar qytetarët dhe komunitetet”, ka thënë emisarja.

Karen Pearce u emërua si e dërguar speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor në shkurt të vitit 2025, duke pasuar Stuart Peach në këtë rol. Ajo ka qenë gruaja e parë që ka shërbyer si ambasadore e Britanisë në SHBA, si dhe përfaqësuese zyrtare në Kombet e Bashkuara në një karrierë të gjatë diplomatike.