Eksperti i sigurisë kibernetike, Driart Elshani, ka thënë se është befasuar nga reagimet e shumta të njohësve të ndryshëm dhe opinionit publik lidhur me vendimin e institucioneve për kriptovaluta.
Ai ka thënë se në gjendjen energjetike në të cilën gjendet Kosova tash, e arsyeton këtë vendim.
Megjithatë, ai deklaron se nuk duhet të ndalohet përgjithmonë mihja e kriptovalutave.
“Është e vështirë të jepen të dhëna precize lidhur me konsumin e energjisë nga kriptovalutave. Por mihja e tyre kërkon pajisje specifike që mundësojnë kalkulime paralele. Për shkak të këtij fakti edhe konsumi i energjisë rritet. Kartelat grafike kanë apetit të madh për energji elektrike. Nuk ka dyshim që mihja e kriptovalutave kërkon energji intensive. Qëndrojnë edhe argumentet kundër këtij vendimi. Është gabim që të ndalohet mihja e kriptovalutave, dhe në këtë sens nuk ka kuptim. Edhe argumentet kontra janë valide. Mihjen e kriptovalutave disa individë mund ta bëjnë në mënyrë legale”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se vendimi është i përkohshëm për shkak të gjendjes me energji elektrike.
Sipas tij, ndalimi i mihjes së kriptovalutave nuk duhet të jetë i përhershëm.