Fatmir Elezi, shef i Divizionit për Standard, Monitorim dhe Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, ka thënë se të shtunën është pjesa e parë e testit të arritshmërisë.
Ai ka thënë se më 14 qershor është pjesa e dytë dhe sipas tij, për dallim prej viteve tjera, këtë vit testi do të organizohet në dy ditë.
Elezi ka thënë se më 4 qershor do të jenë gjuha dhe shkencat shoqërore kurse më 14 qershor matematika dhe shkencat natyrore.
Ai ka thënë se te gjimnazet, shkalla e kalueshmërisë është më e lartë se te shkollat profesionale.
“Janë 176 qendra të testimit ku në çdo qendër do të jetë një komisioner dhe kryetar i komisionit. Deri në vitin 2008 është organizuar në këtë formë, por nga atëherë kjo ka vijuar vetëm në një ditë. Qëllimi i MASHT-it është që nxënësit të mos fokusohen në të gjitha lëndët. Edhe pse ka më shumë pyetje brenda një testi, ai është i organizuar për dy ditë. Kjo është bërë për t’u nxjerrë më e mira nga nxënësit. Përveç numrit të pyetjeve nuk ka ndonjë ndryshim tjetër në format”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se vërejtjet e Zyrës së Auditimit janë marrë parasysh, duke shtuar se vlerësimi i brendshëm dhe i jashtëm dallon, porse sipas tij, nuk janë aq të mëdha sa thuhet në raport.
Elezi ka thënë se prej testeve ndërkombëtare duhet të merren përvojat.
Ai ka thënë se nuk mund të krahasohen testet kombëtare dhe ato ndërkombëtare.
“Vërejtjet që janë në raport këtë vit kanë filluar të zbatohen. Ministria e Arsimit ka planifikuar krijimin e qendrës së vlerësimit. Raporti te kjo pikë nuk është shumë i saktë. Edhe brenda shkollave dhe komunave nuk është një standard i saktë për vendosjen e notave”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk është i saktë vlerësimi i Zyrës së Auditimit se Kosova është mirë në testet kombëtare, e keq në testet ndërkombëtare.
Elezi ka thënë se testi i arritshmërisë është i bazuar plotësisht në korrikulë.
Sipas tij, korrikula është e bazuar në kompetenca por duhet shikuar se sa është duke u zbatuar ajo.
“Ministria e Arsimit veç e ka planin për shtimin e kapaciteteve dhe rritjen e stafit. Testi rrjedh zakonisht në fazën sa është duke u shpërndarë në klasa, pasi nxënësit e fotografojnë dhe e publikojnë në rrjetet sociale. Shumica e pyetjeve janë të hartuara në atë formë që nëse e dinë nxënësi përgjigjen, ata do të mund të përgjigjen për 1 minutë. Do të ketë rregulla strikte, nxënësit që kapen me telefon do të dalin jashtë”, ka thënë ai.
Sipas tij, përqindja e kalueshmërisë është 40 për qind.