Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se ky institucion nuk ka asnjë njoftim zyrtar për tërheqje të kandidatëve nga zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës.
I ftuar të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Elezi ka thënë se afatet e caktuara nga KQZ-ja për njoftime të kandidatëve dhe partive politike në rast të tërheqjes nga gara, kanë qenë të vendosura deri më 27 mars.
“Zyrtarisht deri më tani nuk kemi ndonjë informatë apo njoftim zyrtar për këtë informatë që po qarkullon në media të ndryshme (v.j., tërheqja e mundshme e Aleksandar Jabllanoviq). Sa i përket çështjes së certifikimit të kandidatëve dhe të subjekteve politike që janë pjesë e procesit zgjedhor, KQZ-ja e ka përmbyllur këtë proces dhe po ashtu sipas planit operacional, afateve që i ka caktuar KQZ-ja në fillim të këtij procesi zgjedhor deri më datë 27 mars ka qenë koha kur subjektet politike dhe kandidatët kanë mundur ta njoftojnë KQZ-në për tërheqje nga gara”, ka thënë ai.
Elezi më tej ka njoftuar se shpërndarja e materialeve zgjedhore do të bëhet në përcjellje të Policisë.
“KQZ-ja me miratimin e listës së qendrave të votimit, ka caktuar lokacione të sakta se ku do të hapen këto qendra alternative votimi. Shpërndarja e materialeve zgjedhore do të bëhet në përcjellje të Policisë. Organizimi i këtij procesi zgjedhor ka pasur sfidat e tij. Qysh në fillim, në nëntor të vitit të kaluar zyrtarët e lartë komunalë të zgjedhjeve janë dorëhequr nga detyrat e tyre dhe me qëllim të kryerjes së detyrave në organizimin e procesit zgjedhor, pas një kohe të shkurtër, KQZ-ja ka emëruar katër ushtrues detyre, të cilët vazhdojnë të jenë të njëjtit”, ka thënë ai.