Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Edhe në Mitrovicë u zhvillua fushata ”Dhuna nuk arsyetohet”

Në organizim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës (Sektori për parandalimin e dhunës në familje në Drejtorinë e Policisë në Bashkësi dhe Preventivë), në Mitrovicë sot është mbajtur fushata “ Dhuna nuk arsyetohet”. Fushata është mbështetur edhe nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Në fushatë morën pjesë zyrtarë të gjyqësorit dhe të administratës komunale dhe nga shoqëria civile.

Nënkolonelja e Policisë, Aferdita Mikullovci, tha se “është më se e domosdoshme që të gjitha institucionet relevante të angazhohen dhe mobilizohen (kundër dhunës), duke ndërmarrë aktivitete për vetëdijesimin e të gjithëve kundër kësaj dukurie të shëmtuar që është prezente në shoqërinë tonë. Për të fituar betejën kundër dhunës ne familje dhe parandalimin mund të ndihmojnë edhe vetë ata që janë të prekur duke mos heshtur, por duke paraqitur rastin tek organet kompetente, të cilat duhet të reagojnë shpejt”, tha Mikullovci.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla, tha se është shumë më rëndësi organizimi dhe reagimi me kohë i institucioneve, por edhe reagimi dhe mobilizimi i vetë shoqërisë për parandalimin e rasteve të dhunës në familje.

“Ndaj dhunës në familje, ku kryesisht viktima janë gratë dhe fëmijët, nuk guxon të ketë tolerancë. Reagimi i policisë dhe institucioneve tjera duhet të jetë i menjëhershëm dhe efikas, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohet dhe luftohet dhuna në familje”, tha ndër të tjera kryeprokurori Syla.

Në kuadër të aktivitetit të fushatës ”Dhuna nuk arsyetohet”, u shfaq edhe një program artistik, ku në qendër ishte kritika kundër dhunës në familje.