Arbëri

E gjithë politika shqiptare e hidhëruar për humbjen e Bashkim Koplikut

Virusi COVID-19 nuk i kurseu jetën as ish-zëvendëskryeministrit të parë të qeverisë demokratike, Bashkim Koplikut. Ai ka mbajtur edhe postin e ministrit të Brendshëm të qeverisë së parë të Partisë Demokratike në vitin 1992 dhe dy herë deputet në Parlamentin e Shqipërisë.

Në profesion inxhinier elektronik, vdiq nga COVID-19. Gjendja e tij u rëndua ditët e fundit, por mjerisht askush nuk mund ta ndalte ikjen e tij. Kopliku do të mbahet mend si një zyrtar dinjitoz i shtetit shqiptar, një deputet me identitet të fortë politik dhe një kritik i ish-kryeministrit Meksi dhe ish-presidentit Berisha. Pas vitit 1997, pasi u largua nga Partia Demokratike, ai nuk u përfshi më në politikë, por ishte një qytetar aktiv dhe mendje kritike që do t’i mungojë shoqërisë shqiptare. Vdekja e tij pasi ishte infektuar me COVID-19 shkaktoi shumë reagime në radhët e politikanëve.

Reagimet

Kryedemokrati Lulzim Basha përmes një postimi në “Twitter” mëngjesin e djeshëm theksoi se, kontributi i Koplikut ndaj parlamentarizmit do të mbetet i pashlyeshëm.

Lulzim Basha: “Me keqardhje mësova për ndarjen nga jeta të Bashkim Koplikut, politikanit që dha mbështetjen dhe kontributin e pakursyer që në ditët e para të krijimit të Partisë Demokratike. Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen, miqtë dhe të afërmit e zotit Kopliku. Angazhimi i tij si ligjvënës dhe zëvendëskryeministër gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike pas rënies së komunizmit, do të mbetet i pashlyeshëm në historinë e re të Shqipërisë. U prehtë në paqe!”. Për vdekjen e ishKryeministrit të parë demokrat reagoi edhe Kryeministri aktual Edi Rama. Kreu i qeverisë u shpreh se nuk e kishte takuar asnjëherë atë, por që ishte bërë mik përmes mesazheve në “WhatsApp”. Duke e konsideruar një liberal të djathtë dhe antikomunist, Rama shkroi se Kopliku u “divorcua” nga PD-ja për shkak të mospajtimit themelor me mungesën totale të identitetit të PD-së si parti e djathtë.

Edi Rama: “Bashkim Kopliku u nda nga jeta, pasi humbi betejën me virusin vrastar. Nuk u takuam dot asnjëherë, por ishim bërë miq përmes bisedave në “WhatsApp”, ku ai më shkruante shpesh, me pak fjali, opinionin e tij kritik për punë të caktuara të qeverisë apo sugjerimin e tij në momente të nxehta politike. Bashkimi ishte një liberal i djathtë, antikomunist i paepur, por po aq antifashist dhe ndarja e tij me Partinë Demokratike, për të cilën kontribuoi fuqishëm në vitet e rrëmujshme pas krijimit të saj, ishte përveçse një refuzim thuajse përbuzës ndaj gjithçkaje mishëronte lideri i saj historik, edhe një mospajtim themelor me mungesën totale të identitetit të PD-së si parti e djathtë. Nuk kam guxuar kurrë ta pyes për kë votonte, por di që distanca e tij ideologjike me PS-në ishte e pakapërcyeshme, ndërkohë që edhe për këtë arsye, respekti krejt pa asnjë lloj interesi që më jepte në komunikimet tona, nuk e fsheh se ma përkëdhelte sedrën. Ai ishte një nga ata njerëz të rrallë sot, me virtytin e koherencës mes si fliste e si jetonte, burrë i ndershëm, fisnik nga ata kokëfortët deri në fund në të tijën, çka vihej re pa vështirësi edhe në ato që shkruante a thoshte kur e ftonin në ekrane, vite dritë larg prej pazarxhiut tipik të kohëve që jetojmë, kategori e ulët e parimorëve mediatikë, të cilët në mexhlis predikojnë virgjërinë, teksa larg syve të publikut kurvërojnë me para, në këmbim të predikimeve të radhës. Do të më mungojnë mesazhet e Bashkimit, mikut që s’e takova kurrë, por e desha si një personazh libri, me të cilin mbetesh përgjithmonë në një lidhje të pakonfirmuar”, shkroi Kryeministri Rama

Ruçi: Kopliku ishte një zë i fuqishëm dhe një parlamentar aktiv

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta pas infektimit me virusin që ka gjunjëzuar botën të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Bashkim Koplikut. Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka qenë në të njëjtën kohë me z. Kopliku në parlament dhe në reagimin e tij e cilësonte ish-Kryeministrin Kopliku si një njeri me dinjitet. Duke e cilësuar si model i qytetarit të angazhuar, Ruçi theksoi se Kopliku i shërbeu vendit si deputet e politikan aktiv. “Ndarja nga jeta e Bashkim Koplikut është një humbje e madhe për familjen dhe shoqërinë shqiptare. Si deputetet i Kuvendit të Shqipërisë gjatë periudhës 1992-1997, Kopliku ishte një zë i fuqishëm dhe një parlamentar aktiv. Bashkim Kopliku i shërbeu vendit si profesionist i spikatur, politikan, deputet e qeveritar aktiv dhe pas largimit nga jeta politike, edhe si një qytetar i angazhuar”, shkroi në mesazhin e tij kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Kopliku ka qenë pjesë e parlamentit të parë të zgjedhur përmes garës. Në qeverinë e parë demokratike ai ka mbajtur poste të rëndësishme si ish-Kryeministër kur kreu i qeverisë ishte ALeksandër Meksi dhe në krye të shtetit Sali Berisha. Po ashtu, ai ka mbajtur edhe postin e ministrit të Brendshëm.

Mungon mesazhi i Sali Berishës

Mungesa e një mesazhi ngushëllues dje nga ana e Sali Berishës, ishPresident i vendit në kohën që Kopliku ishte ish-Kryeministër, tërhoqi vëmendjen publike. Kopliku ka qenë pjesë e PD-së shumë herët bashkë me z. Berisha.

Nano: Kopliku mbeti deri në fund i njëjti

Gazetari Mustafa Nano ka reaguar dje gjatë një interviste në “News 24” në lidhje me vdekjen e Bashkim Koplikut. Nano tregoi se e njihte që herët ishdeputetin e PD-së dhe tha se ai mbeti i njëjti deri në fund. E kam njohur që herët, qëkur ndodhi përmbysja. Kemi qenë bashkë pjesë e PD-së atëherë. Siç e kam njohur, ai mbeti deri në fund i njëjti, një njeri që shpeshherë në emër të bindjeve të veta, nuk bënte kompromis dhe shpeshherë marrëdhënia ime me të ishte dialektike, që shkëmbenim mendimet”, tha Nano

Patozi: Iku një qytetar race

“Një politikan dinjitoz”. Kështu e cilëson koordinatori i “Bindja Demokratike”, Astrit Patozi, Bashkim Koplikun, i cili ndërroi jetë dje pasi ishte infektuar me COVID-19. Në reagimin e tij Patozi shkroi se, ndonëse nuk e kishte takuar ndonjëherë, vlerësimet e tij për të ishin maksimale. “Bashkim Koplikun nuk mbaj mend ta kem takuar ndonjëherë. Kur ai ishte politikan aktiv, unë bëja shkrime gazetash, ndërsa pas vitit 1997 ndërruam rolet. Por, kjo nuk më ka penguar ta respektoj në distancë për angazhimin e vazhdueshëm atdhetar dhe qytetar, të cilin nuk e ndau deri në ditët e fundit të jetës. Edhe pse mund të mos kem qenë gjithmonë dakord me qëndrimet e tij, kam bindjen se Shqipëria humbi sot një burrë të përkushtuar dhe një politikan dinjitoz, nga ata, që përherë e më tepër në këtë vend, fatkeqësisht, po konsiderohen si racë në zhdukje”, shkroi Patozi/Panorama.