Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dyshime për shkeljen e statutit të SHSKUK-së dhe Ligjit për shëndetësinë

Foto: Koha

Me dyshimet se u shkel statuti i SHSKUK-së dhe Ligji për shëndetësinë, ka përfunduar në Inspektorat të punës konkursi për drejtor të Klinikës së Radiologjisë. Është ushtruesja e Klinikës së Radiologjisë, Serbeze Kabashi, e cila përzgjedhjen e Komisionit e ka dërguar në Inspektoratin e punës, raporton KTV.

Kabashi pretendon se ajo ka qenë kandidatja që e ka pasur thirrjen, përkatësisht titullin e Profesorit të Asociuar në Fakultetin e Mjekësisë me rastin e përzgjedhjes së kandidatit, i cili është vlerësuar me pikë maksimale, Bujar Gjikolli, pa pasur fare tituj akademikë.

Sipas kësaj shkrese që Kabashi ia ka dërguar Inspektoratit të punës, është shkelur Ligji për shëndetësi dhe statuti i QKUK-së, të cilët qartësojnë se drejtorët e klinikave si udhëheqës të njësive profesionale shëndetësore, krahas kualifikimit specialistik, duhet të kenë thirrje akademike profesionale. Radiologjia nuk është klinika e vetme, e cila dyshohet për shkelje të mundshme gjatë përzgjedhjes së drejtorëve të klinikave.

Për shkelje të ligjit dhe të statutit në Komisionin e brendshëm të QKUK-së është ankuar edhe ushtruesja e detyrës së Klinikës së gjinekologjisë, Myrvete Paçarada. Ajo shkurt ka konfirmuar se ende nuk ka marrë përgjigje nga Komisioni për këtë ankesë, derisa ka theksuar se nuk është respektuar Ligji dhe statuti sa u përket thirrjeve akademike. E se pati shkelje, e thotë edhe Agron Kryeziu, i cili si pjesë e sindikatës monitoroi procesin e konkurseve të QKUK-së .

Inspektorati i punës ka pranuar 5 ankesa deri më tani nga klinikat e QKUK-së dhe spitali rajonal i Vushtrrisë.Por, edhe ky inspektorat, ka kryer një shkelje sa i përket trajtimit të këtyre lëndëve. Ndonëse kanë pranuar ankesa për këtë konkurs, kryetari i Komisionit Fakir Spahiu, e vlerëson si të suksesshëm këtë proces. E për problemet e përzgjedhjes së drejtorëve të klinikave të QKUK-së, KTV-ja ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë, por kjo ministri nuk ka dhënë përgjigje.

Artikuj të ngjashëm