Ndaj Komisionit vlerësues për konkursin në thirrjen për profesor asistent në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore janë ngritur dyshime për parregullsi. Në një raport të Komisionit të ankesave theksohet se kandidatit të rekomanduar për profesor i është përshkruar përvojë trevjeçare, ndërsa dokumentet argumentojnë se kishte më pak
Kandidatja për profesoreshë asistente në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN), Albana Veseli, akuzon Komisionin e recensentëve se nuk e vlerësuan në mënyrë meritore për konkursin e fundit në universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Veseli tash 15 vjet është asistente e lëndës Kimi Analitike në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, por Komisioni recensues nuk e propozoi atë për profesoreshë, me arsyetimin se ajo nuk ka qenë e angazhuar në lëndët e shpallura në konkurs.
Konkursi kërkonte një profesor për gjashtë lëndë, në katër prej të cilave ka qenë e angazhuar ajo. Komisioni ka përzgjedhur kandidatin Jeton Halili, i cili ka 11 vjet përvojë pune. Për përvojën atij ia dhanë 7 pikë, ndërsa 2 asistentes Veseli, ani pse ka katër vjet më shumë përvojë.
“Kam përvojë pune më shumë, doktoraturën e kam në fushën specifike në të cilën është pozita, ai ka doktoraturë komplet jashtë fushës. E kanë injoruar në secilin rast dhe nuk kanë vendosur fare drejtimin, me qëllim që të mos më japin përparësi mua”, ka thënë asistentja në Departamentin e Kimisë.
Veseli ka thënë se doktorata e saj përfshin shumicën e lëndëve të shpallura në konkurs. Ajo ka shtuar se dy lëndë që janë pjesë e konkursit janë të drejtimit të Fakultetit të Ndërtimtarisë (FN), që, sipas saj, janë vendosur për ta favorizuar kundërkandidatin e saj, i cili i ka ligjëruar ato lëndë në FN. “Drejtimi i doktoraturës ku unë e kam përfunduar është analiza e lëndës dhe mjedisit, dhe lëndët që janë në këtë pozitë janë: kimi analitike, analizë kemometrike, sensorët elektroteknikë është programi në kimi që është lëndë komplet jashtë fushës së kimisë, është informatikë në kimi, sensorët elektrokimikë është komplet analitik, analizë kemometrike është analitik, analiza kimi analitike dhe instrumentale është analitik, janë dy lëndë të teknikës që janë jashtë fushës po të cilat janë edhe jashtë Fakultetit. Ato nuk mund t’i marrin kredencialet dy lëndë për ta përcaktuar një profesor në FSHMN”, ka thënë ajo.
Kandidati i propozuar për profesor, Jeton Halilit, nuk ka pranuar të flasë për çështje që lidhen me konkursin. Nëpërmjet telefonit ka thënë për KOHËN se gjithçka rreth konkursit është transparente, prandaj nuk ka se çka të komentojë.
Në garë për pozitën e profesorit të kimisë janë 3 kandidatë, dy prej të cilëve janë ankuar në vlerësimin e Komisionit recensues. Ankuesi tjetër ishte Arsim Maloku, i cili u vlerësua me më së paku pikë në këtë konkurs.
Komisioni i ankesave i Fakultetit të Shkencave Matematike- Natyrore ka theksuar se recensentët i përshkruan Ismailit merita që nuk i ka. Për disa lëndë atij i përshkruan përvojë trevjeçare, ndërsa dokumentet argumentojnë se kishte vetëm dy. “Autorizimi (ref. nr. 1409/1, dt 19.12.2019) dëshmon se z. Jeton Halili është angazhuar për një vit akademik për mbajtjen e ligjëratave në lëndët e lartpërmendura në formular. Ndërsa kontrata (3/129, dt 09.11.2021) dëshmon angazhimin si asistent për një vit tjetër akademik”, thuhet në raport, ku recensuesit theksojnë se nuk kanë kompetenca hetuese për zgjedhjet dhe angazhimet e kandidatit në të kaluarën.
“Në fushën numër XIV, paragrafi 5 të formularit të komisionit recensues për këtë pozitë është shënuar se z. Jeton Halili ka 3 vjet përvojë si ligjërues i këtyre lëndëve, ndërsa dosja dëshmon si më lart”, thuhet tutje në raport.
Në raportin e Komisionit të ankesave u theksua se, pa pasur dëshmi, Halilit iu njoh një projekt shkencor.
“Dëshmitë e ofruara në dosje nuk japin sqarime për natyrën e projektit se a është projekt shkencor, individual, grupor, profesional apo i aplikueshëm – sipas Rregullores nr.886, dt 27.04.2022, shtojca IV, nënpika F, pjesëmarrja në projekte.)”, thuhet në raportin e Komisionit, ku flitet për projektin “Mbrojtja e mjedisit, planifikimi hapësinor dhe zhvillimi i qëndrueshëm mjedisor”, që Halili kishte fituar bashkë me organizatën joqeveritare “Për Ambient të Pastër” në vitin 2019 në kuadër të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.
Pretendimet e tjera të kandidatëve ndaj raportit i vlerësoi si të pabaza Komisioni i ankesave.
“Në pikën ku supozohet se Komisioni recensues ka pikëzuar z. Jeton Halili me 5 pikë gabimisht. Sipas Rregullores nr 886, dt 17.04.2022, shtojca II, pika D, tab II-6 dhe 7, ‘Publikimet nga kongrese, konferenca, simpoziume, vlerësimi i Komisionit recensues është konform pikave të lartcekura”, thuhet në raport.
Gjatë hartimit të raportit për kandidatët për profesor, anëtarët e Komisionit recensues nuk përfillën detyrimin që parasheh Rregullorja e UP-së për emërimin, riemërimin ose avancimin e personelit akademik, për të dhënë arsyet mbi propozimin ose jo të secilit kandidat. Raporti përmban vetëm vlerësimin përfundimtar për kandidatin e rekomanduar Jeton Halili.
Komisioni i ankesave ka rekomanduar Këshillin e FSHMN-së që të rishkruhet raporti në përputhje me Rregulloren.
Në Komisionin vlerësues kanë mohuar se kanë bërë vlerësim jo të drejtë.
Naser Troni, anëtar i Komisionit vlerësues, ka thënë se kanë vepruar në përputhje me Rregulloren.
“Nuk qëndron, i kemi marrë parasysh të gjitha dokumentet. Gjithçka ka shkuar në rregull, jo nuk kemi bërë shkelje të Rregullores. Ne çka kemi pasur prej dokumenteve i kemi vendosur në letër, e kemi protokolluar dhe e kemi dorëzuar”, ka thënë Troni.
Raporti recensues do të vlerësohet nga një trup këshillëdhënës i rektorit dhe pastaj do të vendoset nëse propozimi i dhënë do të dërgohet në Senat për votim.