Komuna e Gjilanit s’ka numër të mjaftueshëm inspektorësh sanitarë. Këtë e pranon edhe Inspektorati komunal i Gjilanin se ka pasur ngecje në kontrollet e përgjithshme të higjienës sanitare në lokalet tregtare, hoteliere e ushqimore, shkaku i numrit të vogël të inspektorëve sanitarë, mirëpo ndikim të madh në këtë ngecje ka dhënë edhe riorganizimi i drejtorive komunale, që kishte kulmuar para 4 vjetësh me shuarjen e Drejtorisë së Inspektoratit, e cila këtë vit është rithemeluar.
Për kryerjen e kontrolleve sanitare në territorin e Gjilanit janë të angazhuar vetëm 2 inspektorë, kurse në këtë komunë operojnë hiç më pak se 3 mijë e 670 biznese, që dominohen nga bizneset tregtare dhe ato shërbyese, shkruan sot Koha Ditore.
Nga të dhënat zyrtare për 7-mujorin e vitit të kaluar Inspektorati komunal kishte arritur të kryente vetëm 75 kontrollime, ku edhe ishin përpiluar 55 procesverbale, si dhe ishin shqiptuar 4 dënime mandatore, kurse vetëm në një rast ishte bërë konfiskimi i mallit.
(Më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)