Lumi Ibër, që kalon nëpër Mitrovicë, ndanë njerëzit në dy grupe etnike: në pjesën jugore të lumit jetojnë shqiptarët, në atë veriore serbët. Mbi 20 vjet pas fundit të luftës në Kosovë qyteti në veri të Kosovës mbetet ende de facto i ndarë.
Shumë qytetarë të Mitrovicës nuk e kanë guximin, që ta kalojnë urën e ndaluar për vetura mbi lumin Ibër. Ajo urë mbikëqyret nga ushtarët italianë të armatosur rëndë dhe nga autoblindat e KFOR-it. Ende duhet që trupat e mbrojtjes së NATO-s të përkujdesen për paqen dhe stabilitetin në Kosovë.
Edhe 12 vjet pas shpalljes së ish-provincës së dikurshme jugosllave, serbët në veri ende nuk e njohin Qeverinë e shtetit më të ri të Evropës që e ka selinë në kryeqendër, Prishtinë. Udhëheqësit politikë të tyre punojnë ngushtë me Qeverinë serbe në kryeqendrën e Serbisë, Beograd.
Ata që e kalojnë urën mbi Ibër nga jugu për në veri përcillen me vëmendje nga burra me veshje civile që presin në vetura sikur janë rastësisht aty. Ata shikojnë keq kalimtarët, disave edhe u flitet me fjalë të rënda.
Kur arrin në anën veriore të urës nuk e ke më ndjenjën se je në Kosovë: Një rresht i gjatë me flamuj kuq, kaltër e bardhë me shqiponjën e bardhë të Serbisë valojnë në hyrje të Mitrovicës së Veriut; flamuri i Republikës së Kosovës mungon këtu.
Dygjuhësia ndihmon
Dhurata Prokshi vjen këtu çdo ditë.
“Sigurisht, nuk është ndjenja më e mirë kur duhet të shkosh në veri e të punosh si shqiptare”, thotë 33-vjeçarja nëpërmjet një përkthyesi për “DW”. Në të njëjtën kohë, Dhurata e di: “Serbët në veri e kanë ndjenjën e njëjtë kur shkojnë në pjesën jugore të Mitrovicës”.
Në vitin, që kur Dhurata ka filluar të punojë në gjykatën e qarkut në veri të qytetit të ndarë, kurrë nuk ka pasur konflikte. Marrëdhëniet e saj me kolegët serbë ajo ia përshkruan përkthyesit si të mira.
Për faktin se e njeh edhe gjuhën serbe pos gjuhës amtare shqipe, e lehtëson komunikimin me të gjithë qytetarët e të gjitha etniteteve në Kosovë.
“Në vende, si gjykatë nuk ka probleme, nëse flas shqip. Por kur je në veri në një restorant apo kafe dhe dëshiron të porosisësh në gjuhën shqipe, nuk mund ta dish se si do të reagojnë njerëzit”, thotë Dhurata.
Nga Veriu në Jug
Në anën jugore të urës mbi lumin Ibër valon një flamur i gjatë i kuq me shqiponjën e zezë në mes: shqiponjën shqiptare. Flamuri i Republikës së Kosovës mungon edhe këtu.
Këndej kalon rregullisht Milosh Vuçiniq, kufirin e padukshëm mes serbëve dhe pjesës së dominuar nga shqiptarët në Mitrovicë. Serbi 23-vjeçar punon si mësues i anglishtes për një organizatë bamirëse, që e ka selinë në pjesën jugore të Mitrovicës. Më herët, kur ishte në herët e para këtu, e shoqëronte frika dhe pasiguria në çdo minutë, tregon ai për “DW”.
“Por, në të njëjtën kohë nuk më lëshonte kureshtja. Doja të zbuloja se si duket jeta në anën tjetër të Mitrovicës”, thotë ai.
Anglishtja eviton konfliktet
Pasi që Miloshi nuk flet shqip, ai komunikon në gjuhën angleze, kur gjendet në anën jugore të Mitrovicës. Gjuha e huaj ofron siguri dhe eviton konfliktet.
“Kam edhe disa shokë shqiptarë në punë. Me ta shkoj herë pas here për kafe. Ata fillimisht ishin të befasuar, kur u thashë, se kurrë më herët nuk kam qenë në anën jugore të Mitrovicës. Ata fillimisht më treguan anën jugore të Mitrovicës e më pas edhe Prishtinën”, thotë ai.
Pasojat e ndarjes së qytetit më së rëndi nga të gjithë qytetarët e Mitrovicës i godasin serbët e rinj në veri, thotë Miloshi.
“Kërkon një jetë pa kufizime dhe dëshiron të avancojë profesionalisht. Ka shumë pak mundësi në veri. Shpresojmë që e ardhmja të jetë më e mirë”, thotë ai./DW
{gallery}