Rritja e numrit të rasteve me COVID-19 në ditët e fundit ka krijuar shqetësim në mesin e qytetarëve të Prizrenit.
Refet Bushati qytetar dhe zejtar nga Prizreni, pohon se në mesin e popullatës ka drojë sa i përket COVID-19.
“Mendoj se gjendja me pandeminë në Prizren është nën kontroll dhe popullata po e respekton, d.m.th me maska, edhe nëpër lokale të gastronomisë respektohen masat për distancë dhe dezinfektues. Mendoj se është më mirë se në qytetet e tjera”, deklaron Bushati.
Përfaqësues të institucioneve të ndryshme gjatë mbledhjes së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi kanë raportuar për sfidat dhe menaxhimin e pandemisë në 6 muajt e shkuar.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka raportuar se në Prizren janë 78 persona të infektuar dhe se nga COVID-19 deri tash kanë vdekur 51 persona.
“Lidhur me rastet e vdekjeve faktikisht në komunën tonë i kemi 51 raste deri më tani. Mund të theksojmë që me numrin e banorëve nga 1.000 banorë nëse shikojmë në popullatë Komuna e Prizrenit i ka 0.27 infektime për 1.000 banorë që në krahasim me komunat e tjera të mëdha është komuna me numrin e rasteve më të ulëta”, thotë Haskuka.
Haskuka ka theksuar se nga 1.182 teste serologjike të bëra në QMF, kanë rezultuar 231 raste pozitive aktive dhe 352 raste pozitive që e kanë kaluar COVID-19.
Drejtori i Spitalit rajonal të Prizrenit, Afrim Avdaj, ka bërë të ditur se nga data 13 mars deri me 30 shtator 2020 në këtë spital janë hospitalizuar 888 pacientë të dyshuar, prej të cilëve 634 kanë qenë pozitivë dhe 254 negativë.
“Numrin më të madh e kishim më 13 gusht, me 105 pacientë të hospitalizuar. Sot i kemi 51. Para një jave kishim 11”, deklaron Avdaj.
Ndërsa Drejtoresha e Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi, tha se deri tash janë testuar 529 mësimdhënës dhe nxënës, prej të cilëve 19 kanë rezultuar pozitivë, prej tyre 15 janë mësimdhënës dhe 4 nxënës.