Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ka pasur shumë efekte pozitive në vitin e parë të saj të plotë, sipas drejtorit të Doganës, Bahri Berisha.
Për Express Intervistën, Berisha ka thënë se si rrjedhojë e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe BE-së janë rritur shkëmbimet tregtare, por ka shtuar se eksporti e mbulon për vetëm 10 për qind importin.
“Efekti i MSA-së është i shumëfishtë në ekonomi. Është rritur tregtia mes vendeve të BE-së dhe Kosovës. Sigurisht vetë efekti i MSA-së gjeneron kërkesa më të mëdha tregtare që nënkupton zhvillim më të madh ekonomik. Janë rreth 5 për qind shkëmbime tregtare”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, edhe masat e qeverisë në fund të vitit të shkuar për heqjen e pagesave shtesë në dogana për prodhuesit vendorë kanë shtuar interesimin e prodhuesve kosovarë.
Berisha ka shtuar se Dogana ka pasur performancë të mirë vitin e shkuar duke shënuar rritje prej 7 për qind në krahasim me vitin paraprak. Sipas tij, Dogana ka siguruar 13 milionë euro më shumë se parashikimet. Provizioni i vitit 2017 ishte 1 miliardë e 108 milionë euro, ndërsa Dogana kaloi 1 miliardë e 120 milionëshin.
Drejtori i Doganës thotë se ky institucion nuk ka politikë toleruese ndaj korrupsionit, si dhe ka shtuar se Dogana nuk është përgjegjësja e vetme për kontrollimin kufitar. Ai ka thënë se kontrollimi kufitar bëhet edhe përmes policisë dhe Agjencionit të Ushqimit. Berisha ka folur edhe për deklaratën e deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti që pati thënë se nafta dhe cigaret nuk kontrollohen gjatë kalimit të kufirit.
“Kemi një qendër kombëtare që kujdeset për monitorimin e kufijve. Është pjesë e ministrisë së Brendshme. Kjo qendër e monitorimit është një prej veglave. Dogana nuk posedon sistem të kamerave. Nëse dikush ka dyshime të tilla mund të marrë informata nga kjo qendër në Ministrinë e Brendshme. Kufijtë e Kosovës janë mirë të kontrolluar”, ka thënë ai.