Haradinaj: Kurti ka vendosur që ta vështirësojë jetën në Kosovë

30 min. më parë / 29 qer 2025 12:19
Ramush Haradinaj AAK

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar Albin Kurtin dhe kolegët e tij se kanë vendosur ta vështirësojnë jetën në Kosovës, pasi Gjykata Kushtetuese ua ka dhënë mundësinë që të kthehen në votim të hapur, por se ata po refuzojnë.

Ai pas dështimit të seancës konstituive për të 39-ën herë, tha se ata si AAK u angazhuan për ta kthyer votimin e hapur, por sipas tij, situata është e vështirë.

“Është situatë e vështirë, shihet se Kurti dhe kolegët e tij e kanë ndarë mendjen me e vështirësu jetën e Kosovës, që ta bëjnë edhe më keq. Pra ua ka dhënë mundësinë gjykata të kthehen në votim të hapur, ata nuk e respektojnë këtë. Është një situatë e rëndë...është vështirë me këtë njeri”, tha ai.

Murati: Të vetmit shkelës të Kushtetutës janë opozitarët

39 min. më parë / 29 qer 2025 12:09
Hekuran Murati

Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se mbi 30 herë kanë parë partitë politike të refuzojnë të kryejnë detyrimin e tyre kushtetues nën pretekstin që votimi i fshehtë për kryetaren e Kuvendit është antikushtetues.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese në asnjë pikë të vetme nuk e thotë një gjë të tillë.

Ka shtuar se aktgjykimi thotë se deputetët mund të votojnë në votim të hapur apo të fshehtë.

“Nga Gjykata Kushtetuese u vlerësua që është në përputhje të plotë me Kushtetutën votimi i fshehtë. Deputetët e opozitës janë të vetmit që shkelën Kushtetutën duke mos marrë pjesë në votim. Ne tashmë kemi dëgjuar se ata pretendojnë që përmes juristëve të japin interpretime mbi interpretimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.

 

Krasniqi: Kurti me vetëdije e shkeli edhe një herë Kushtetutën

49 min. më parë / 29 qer 2025 12:00
Memli Krasniqi,

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se sot të gjithë qytetarët janë bërë dëshmitarë të abuzimit dhe shkeljes së Kushtetutës me vetëdije nga Albin Kurti dhe VV-ja.

Sipas tij, nuk është situata e njëjtë sikur para vendimit të Kushtetueses.

Krasniqi ka thënë se insistimi i njëjtë sot si në seancat e kaluara i bie se për Kurtin, Kushtetuta nuk ka asnjë vlerë.

“Kjo qasje që e ka karakterizuar qeverisjen e Kurtit në raport me Gjykatën Kushtetuese është e papranueshme. Është sulm kundër demokracisë. Shpërfillja ndaj Kushtetutës nuk është gjë e re sepse këta nuk e kanë njohur as shtetin as Kushtetutën. Ky është nivel i rrezikimit të demokracisë në Kosovë”, ka thënë ai.

Krasniqi ka shtuar se rendi i ditës është përcaktuar më 8 prill nga ish-kryetari Konjufca.

Sipas tij, kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk do t’i bëjë kurrë votat. Sipas tij, kjo sjellje është e qëllimshme që të mos konstituohet Kuvendi.

Ka shtuar se sot ka ndodhur një shkelje e re.

Krasniqi ka thënë se qysh në fillim të majit i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që të marrë rol në ngërçin e krijuar.

Sipas tij, VV-ja tashmë ka qasje të hapur antikushtetuese.

“Nuk ka asnjë kuptim më që të takohemi me Kurtin. Ne asnjëherë si kemi ikur asnjë takimi”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të përfundojnë sërish në Gjykatën Kushtetuese.

Lushaku-Sadriu: Sot u cenua vendimi i Kushtetueses

1 o. më parë / 29 qer 2025 11:45
Jehona Lushaku

Jehona Lushaku

Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se sot u cenua vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin u sqarua aspekti juridik i funksionimit të Kuvendit.

“Kjo e sqaron përgjegjësinë e partisë politike që ka fituar shumicën relative. Ne do të sillemi siç sillen partitë që duan një vend demokratik”, ka thënë ajo,

Sipas saj dhe presidentja duhet të marrë rol në tejkalimin e kësaj gjendjeje.

“Partitë politike garojnë  në zgjedhje me qëndrime të qarta. Ne nuk kemi shprehur interesim të bashkëqeverisim me Vetëvendosjen”, ka thënë ajo.

Sërish dështim, nuk votohet komisioni për votim të fshehtë

1 o. më parë / 29 qer 2025 11:35
kuvend

Photo: Driton Paçarada

Ka dështuar edhe për herë të 39-të tentimi për konstituim të Kuvendit. Deputetët nuk kanë votuar për formimin e Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit.

Për formimin e komisionit votuan 53 deputetë, kundër dhe abstenime nuk pati. Kur kryesuesi Avni Dehari ftoi partitë për të çuar emra për komision, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në foltore i quajti deputetët shkelës të Kushtetutës. Gjatë procesit të votimit deputetët e LDK-së goditën tavolinat në shenjë proteste.

Mbledhja e sotme ndodhi një ditë pas takimit të liderëve të partive të përfaqësuara në Kuvend, i cili takim nuk prodhoi asgjë konkrete sa i përket arritjes së një marrëveshjeje të mundshme për daljen e vendit nga ngërçi i krijuar politik për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk i kanë votat për Albulena Haxhiun kryetare e Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa akuzuan Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës se po keqinterpretojnë aktgjykimin e fundit të Kushtetueses mbi konstituimin e Kuvendit, duke këmbëngulur në formimin e komisionit për mbikëqyrjen e procesit të fshehtë të votimit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka thënë se do të ketë shkelje kushtetuese nëse do të shkohet sërish me formatin e deritanishëm të seancës për propozimin dhe hedhjen në votim të komisionit për votim të fshehtë.

Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka thënë se mos respektimi i aktvendimit të Kushtetueses mbi daljen e vendit nga kriza politike është hapi i parë i përmbytjes së rendit kushtetues dhe se fajtor për këtë është Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i kësaj të fundit tha se PDK-ja dhe LDK-ja e kanë “keqlexuar” aktgjykimin e Kushtetueses dhe nëse nuk votohet Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit me votim të fshehtë ajo do të tërhiqet nga kandidatura.

Kushtetuesja ditën e enjte ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Izmaku: Takimi i Kurtit me partitë politike ka shpërfaqur nevojën për komunikim më të madh

1 o. më parë / 29 qer 2025 10:59
Xhevahire Izmaku

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka thënë se përgjegjësinë për zgjidhjen e situatës aktuale e ka partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

Ajo ka deklaruar se takimi i djeshëm ka shfaqur nevojën për komunikim më të madh politik mes partive.

Sipas saj, po ashtu takimi i Kurtit me partitë politike ka shpërfaqur edhe hipokrizi.

“Ka subjekte politike që na ka linçuar. Të besojmë që takimet do të prodhojnë diçka tjetër sepse ka qenë vetëm takimi i parë. Kur partia e parë nuk e ka shumicën, atëherë vjen në pyetje konsensusi”, ka thënë ajo.

Çitaku: Kurti në takim na kërkoi t’i nënshtrohemi vullnetit të tij

1 o. më parë / 29 qer 2025 10:54
Vlora Çitaku

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, para nisjes së seancës ka shkruar në Facebook se sipas logjikës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mjafton një takim që nënshtrimi dhe diktati të maskohen si kompromis.

Në takimin me liderët politikë, Çitaku ka shkruar se Kurti nuk ofroi as marrëveshje, as kompromis.

“Nuk ofroi as reflektim, as zgjidhje. Na kërkoi vetëm një gjë: t’i nënshtrohemi vullnetit të tij. Pa kushte. Pa debat. Pa demokraci”, ka thënë ajo.

Berisha: Partitë po takohen fshehtas, s’e kanë në mendje të dalin nga ngërçi

2 o. më parë / 29 qer 2025 10:45
Bekë Berisha

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka thënë se nuk i ka kuptuar versionet e asnjërës parti.

Sipas tij, duket se të gjithë duan të vazhdojnë ende me bllokadë.

“Nuk e ka askush qëllimin e mirë këtu. Ndoshta duhet t’i prishim disa rregulla. Po gënjejnë, po takohen fshehtas e pastaj  po gënjejnë, nuk e ka askush në mendje të dalë nga ngërçi. Kurti ende tregon kryeneçësi”, ka thënë ai.

AAK-ja sipas tij ka dhënë versione si të dilet nga ky ngërç.

Xhaferi: Marrëveshja politike është e domosdoshme për të dalë nga ngërçi

2 o. më parë / 29 qer 2025 10:39
krenar xhaferi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi, ka folur para fillimit të seancës së sotme të Kuvendit, duke e cilësuar atë si jashtëzakonisht të rëndësishme, pasi është e para pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Mendoj që fituesi kur nuk është në gjendje të zgjidhë një ngërç parlamentar, nuk është në gjendje me qeverisë vendin, kjo nuk bën pa marrëveshje politike, e marrëveshja politike bëhet me pjekuri politike e jo me inate. Nuk obligon siç thotë Kurti që të vijë çdo 48 orë në seancë, obligim është marrëveshja politike për të dalë nga kjo situatë. Sot seanca është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse është seanca e parë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Xhaferi./EO