Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se dhënia e pronave komunale me qira në Komunën e Dragashit ka vazhduar që të shoqërohet me parregullsi, bashkë me rastet e shmangies së procedurave të hapura të prokurimit te kontratat me vlerë minimale, si dhe keqklasifikimet e shpenzimeve. Të dhënat lidhur me këto çështje janë shpalosur në Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të kësaj komune për vitin 2020.
“Në regjistrin e Komunës së Dragashit figurojnë 109 prona/toka të cilat janë në shfrytëzim, toka është e Komunës, ndërsa objektet ishin ndërtuar nga shfrytëzuesit. Prej tyre, 26 prona janë me kontrata para vitit 2006 dhe 77 prona të tjera shfrytëzohen me kontrata të skaduara, që nga viti 2002 deri më 2017. Pavarësisht shkresave, njoftimeve të kohëpaskohshme dhe pajtimit të shfrytëzuesve për pagesën e borxhit, Komuna nuk ka ripërtërirë kontratat apo nuk ka kontraktime përmes procedurave. Me gjithë rekomandimin nga viti i kaluar, kjo gjendje ende është duke vazhduar me kontrata të tilla si rezultat i mosndërmarrjes së masave nga Komuna”, thuhet në raportin e ZKA-së. Aty theksohet se shfrytëzimi i pronave publike, pa kontrata valide mes Komunës dhe shfrytëzuesve të pronës komunale mund t’i shkaktojë Komunës humbje të konsiderueshme financiare, dhe se po ashtu humb mundësinë për të siguruar se prona publike në dispozicion të Komunës menaxhohet si duhet.
“Kryetari i Komunës duhet të shtojë kontrollet lidhur me dhënien në shfrytëzim të pronës komunale duke vlerësuar të gjitha kontratat. Njëherësh të sigurojë se dhënia e këtyre pronave në shfrytëzim bëhet sipas kërkesave të ligjit për shfrytëzim dhe këmbimi i pronës së paluajtshme të Komunës”, ka rekomanduar Auditori.
ZKA-ja ka hasur edhe në shmangie të procedurave të hapura të prokurimit, te kontratat me vlerë minimale.
“Nga raporti i kontratave të nënshkruara për vitin 2020, Komuna ngjashëm si në vitin e kaluar kishte nënshkruar 71 kontrata përmes procedurës me vlerë minimale 62,508 euro. Gjatë auditimit kemi vërejtur që kishte kontrata për furnizime dhe shërbime të natyrës së njëjtë duke anashkaluar procedurat e hapura të tenderimit. Shkaqet e realizimit të procedurave të ndara të prokurimit është mungesë e komunikimit të njësive kërkuese dhe prokurimit gjatë përgatitjes së planit për prokurim”, shkruan në raport.
Një çështje tjetër e veçuar nga ZKA-ja ka të bëjë me klasifikimin joadekuat të shpenzimeve nga ana e Komunës së Dragashit. “Gjatë testimit të shpenzimeve kemi vërejtur se në një pagesë nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve në vlerë 9,458 euro, kemi vërejtur që natyra e shpenzimit i takonte kategorisë së investimeve kapitale. Kjo pagesë ishte kryer për rinovimin dhe sanimin e oborrit të shkollës në Llopushnik. Shkak i këtyre keqklasifikimeve ishte mungesa e buxhetit në kategoritë përkatëse”, ka bërë të ditur Auditori.
Ndërkaq te mallrat e shërbimet, ZKA-ja ka evidentuar pranim të mallit në shpërputhje me kontratën, konkretisht në kontratën për furnizim me dru, me ç`rast ka rekomanduar menaxhmentin që të sigurohet që pranimi i mallrave, përkatësisht drunjve, të bëhet sipas kushteve të kontratës dhe që asnjë pagesë të mos bëhet nëse pranimet nuk janë të nënshkruara nga tre anëtarë të komisionit. Auditori ka gjetur edhe rast të hyrjes në obligime pa zotim të mjeteve.
“Gjatë testimit në tri pagesa për furnizim me dru kemi vërejtur që Komuna, përkatësisht shkollat, kishin pranuar apo furnizuar dru në vlerë 34,000 euro, mirëpo kishin zotuar dhe paguar vetëm vlerën 15,000 euro. Diferenca prej 19,000 eurosh tregon që Komuna ishte në obligime ndaj Operatorit Ekonomik. Po ashtu për këto furnizime nuk kishte as faturë që të raportonte si obligim Komuna ndaj Operatorit Ekonomik. Kjo kishte ndodhur si rezultat i menaxhimit jo të mirë të kontratës për furnizime me drunj”, ka bërë të ditur Auditori, që ka gjetur mangësi edhe në evidentimin e pasurisë si dhe menaxhim jo efikas te llogarive të arkëtueshme, që në vitin 2020 kanë arritur vlerën mbi 2 milionë euro.
“Komuna nuk ka një plan për inkasimin e llogarive të arkëtueshme nga debitorët e saj. Si pasojë, të arkëtueshmet vazhdimisht po rriten duke shkaktuar vështirësi në inkasimin e tyre. Në vitin 2020 kemi një rritje prej 101,273 euro apo 5% krahasuar me vitin paraprak (1,927,946 euro). Në këtë rritje ndikimi më i madh ishte nga tatimi në pronë. Për të arkëtueshmet nga tatimi në pronë, Komuna pasi kishte shpërndarë faturat janë përzgjedhur debitorët që kanë borxhe mbi 300 euro dhe janë dërguar shkresat me fletëpranime, pjesa më e madhe nuk kanë qenë në Kosovë dhe si të tilla kanë mbetur të papaguara”, thuhet në raport.
Sa i përket zbatimit të rekomandimeve të ZKA-së, në raport thuhet se raporti për vitin paraprak ka rezultuar me 15 rekomandime, prej të cilave 5 sosh nuk janë zbatuar, 9 janë zbatuar dhe 1 nuk aplikohet më.
Në anën tjetër, sipas raportit, kryetari i Komunës, Shaban Shabani, ka marrë në konsideratë dhe është pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit, si dhe është zotuar se brenda 30 ditëve do ta dorëzojë planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve.