Me disa mjete të punës po mundohet të riparojë gypin kryesor të ujit për lagjen ku jeton. Dalip Koqinaj nga fshati Blaç i Dragashit këtë iniciativë e mori pasi ka 3 vjet që ujin të cilin e përdorin edhe për pije rridhte pa ndalur.
Në mungesë të reagimit nga ana e Komunës, Koqinaj thotë se u detyrua që këtë problem ta zgjidhte vetë, pasi kishin mungesë të theksuar të ujit. Madje rrjedha e tij ka dëmtuar edhe rrugën.
“Jam angazhuar për riparimin e kësaj rrjedhje të ujit. Problemi ekziston diku më shumë se 3 vite dhe është dëmtuar edhe rruga. Intervenim nuk është bërë, fshatarët nuk kanë ujë të mjaftueshëm. Është mirë më intervenu komuna sepse ka banorë që kanë stalla, posedojnë lopë. Është mirë me pas intervenime më të shpeshta, me shikuar edhe nëpër terren se çfarë po ndodh jo vetëm nëpër karrige të rrinë atje. Njerëzit përgjegjës duhet me qenë ata që e mbikëqyrin punën jo me qenë njerëz që e ka dërguar komuna gjatë si inspektor, e nuk duket hiq gjatë punimeve”, ka thënë ai.
Përveç kësaj, sipas tij edhe ujësjellësi, të cilin Komuna e kishte instaluar gjatë vitit të kaluar, nuk po funksionon siç duhet.
“Me instalimin e ujësjellësit vitin e kaluar, e kanë bërë me tri dalje për secilën mëhallë por ajo sa duket nuk po funksionon, këtu po vije uji, ndërsa mëhalla më lartë nuk shkon. Ka gati që dy javë që kjo mëhalla nuk ka ujë për arsye për t’i dërguar ujë edhe mëhallës lart”, ka vazhduar ai.
15 fshatra të tjera, duke përfshirë këtu edhe qytezën, kanë mbetur pa ujë të pijshëm, megjithëse për punën e njëjtë ishin hapur dy tenderë të ndryshëm.
Tenderi i dytë “Ndërtimi i ujësjellësit në Dragash-vazhdim i punimeve” është hapur rreth 4 vjet më parë.
Që nga ajo kohë, tenderi në vlerë prej 2 milionë eurosh për ujësjellësin kryesor është anuluar 8 herë radhazi.
Sipas Arafat Qaflleshi, i cili garon edhe për asamble komunale, ky tender u anulua pasi komuna insistonte pandërprerë që kontratën t’ia jepte një kompanie të afërt me pushtetin.
“Për herë të parë është hapur tenderi në vitin 2016, pastaj ka shkuar disa herë në OSHP duke u kthyer disa herë në Komunë. Për shkak të tentativave që Dragashi ka dashur t’ua japë kompanive të afërta me partinë e tyre qeverisës, dhe ne si 15 fshatra të kësaj komune nuk kemi ujë dhe nuk është zgjidhur akoma ky problem shumë i thjeshtë dhe shumë i nevojshëm për jetë. Uji është jo i kontrolluar dhe për pije nuk është aspak i përdorshëm”, ka thënë Qafleshi.
Probleme ka pasur edhe me stadiumin e Dragashit, ndërtimi i të cilit u nënshkrua në vitin 2018 në mes Komunës dhe Ministrisë së atëhershme të Kulturës. Sipas Institutit GAP, megjithëse Komuna ka ekzekutuar një pagesë ndaj një operatori privat, nuk është bërë intervenimi për shumën që është paguar.
Ndryshe, kjo komunë nuk ka arritur me kohë t’i raportojë të dhënat në Ministrinë e Pushtetit Lokal lidhur me performancën komunale për vitin 2019 dhe kësisoj ka humbur shumën e grantit të performancës së ndarë për këtë komunë.
Mbi këtë dhe shumë çështje të tjera, të enjten në KTV u zhvillua debati i kandidatëve për kryetar të Dragashit.