Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, dhe kryetari i degës së dytë të LDK-së në Prishtinë, Florian Dushi, kanë dorëzuar të mërkurën nënshkrimet e grumbulluara për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë.
Iniciativa u nis me kërkesën për shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të partisë, pasi LDK-ja doli sërish e treta në zgjedhjet e 7 qershorit.
Abdixhiku pati refuzuar kërkesën e disa degëve për dorëheqje.
Siç pati thënë vetë Zemaj ditë më parë, për thirrjen e këtij kuvendi janë mbledhur më shumë se 150 nënshkrime.
Sekretari i partisë, Ilir Ferati, ka thënë se tani nënshkrimet do të trajtohen dhe do të verfikohen e më pas do të dalin me një qëndrim.
Kuvendi i LDK-së ka 355 delegatë, kurse mbledhjen e tij mund të thirren me 118 nënshkrime. Pas deponimit të këtyre nënshkrime, sipas statutit të LDK-së, kryesia e partisë është e obliguar që ta thërrasë Kuvendit brenda 60 dite.
Abdixhiku i pati mbijetuar votëbesimit më 31 janar, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Nga ato zgjedhje, në zgjedhjet e 7 qershorit LDK-ja u rrit për tre deputetë. Në zgjedhjet e qershorit ajo kandidoi me ish-presidenten Vjosa Osmani si prijëse të listës.
Kërkesa për shkarkimin e Abdixhikut, Hoti: Askush s’është mbi LDK-në
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se “forca e LDK-së është vullneti i anëtarësisë dhe jo ambicia e individëve”, pak pasi në këtë parti u dorëzua lista e nënshkrimeve për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm me kërkesën për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.
“Askush nuk është mbi LDK-në dhe anëtarësinë e saj”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Hoti është një prej deputetëve të LDK-së që publikisht kanë kërkuar ndërrime në kryesinë e partisë dhe në orientimin e saj. Ai megjithatë ka qenë i heshtur për takimin që Abdixhiku e pati me kryetarin e Vetëvendosjen, Albin Kurti, të premten për çështjen e formimit të institucioneve.