Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Në episodin e 44-t të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, e ftuar është njohësja e politikës së jashtme, Donik Emini.
 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Surroi: Kosova duhet të jetë proaktive në siguri dhe integrim evropian

29 min. më parë / 1 mar 2026 20:54
Veton Surroi

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me Donika Eminin, publicisti Veton Surroi ka theksuar rëndësinë e pozicionimit gjeopolitik të Kosovës dhe përparësitë që ofron për vendin pjesëmarrja aktive në një hapësirë të përbashkët sigurie.

“Ne duhet prapë të mendojmë në të njëjtat vija strategjike, e kjo do të thotë ne jemi pjesë e Evropës, jemi shtet evropian, do të jemi shtet evropian. Duhet të jemi pjesë e një sistemi kolektiv të mbrojtjes. Kjo është NATO-ja. Duhet të aspirojmë në çfarëdo modaliteti të rirregullimit të hapësirës unike të sigurisë dhe të bashkëpunimit dhe të tregut evropian, çfarëdo forme që do të marrë Bashkimi Evropian, ne duhet të jemi pjesë e asaj”, ka thënë Surroi. 

Ai shtoi se sfida kryesore e Kosovës lidhet me konfliktin e papërfunduar me Serbinë dhe rëndësinë e përfshirjes së vendit në hapësirën rajonale të sigurisë:

“Por elementi i tretë, i cili neve na karakterizon, për dallim prej shteteve tjera është se ne duhet të jemi, po ashtu, pjesë aktive kontribuuese për zgjidhjen e hapësirës së Ballkanit Perëndimor, si hapësirë unike e sigurisë. Kjo neve na paraqet një sfidë të veçantë, sepse kemi të bëjmë me një konflikt të papërfunduar me Serbinë. Ky konflikt duhet të përfundojë në atë mënyrë që Kosova, Serbia, të gjitha fqinjët tanë duhet të jenë pjesë të një hapësire të sigurisë edhe të shteteve të cilat nuk duan të jenë anëtare të NATO-s”, shtoi publicisti. 

Ai bëri të ditur se Kosova do të jetë e gatshme ushtarakisht për të qenë pjesë e NATO-s në vitin 2028 dhe se politikat e sigurisë do të jenë të qëndrueshme dhe të koordinuara me prioritetet evropiane.

“Do të thotë ne në vitin 2035 do të kishim 5% të GDP-së të dedikuar për mbrojtje. Kapaciteti i Kosovës do të jetë i gatshëm deri atëherë, nuk shoh ndonjë problem në këtë drejtim. Disponimi i popullit të Kosovës është në të gjitha matjet në nivel evropian, është pro NATO, është pro Bashkimit Evropian si asnjë vend tjetër”, deklaroi Surroi. 

Surroi theksoi gjithashtu nevojën për politika të reja proaktive sigurie dhe bashkëpunimi në rajon, duke i dhënë Kosovës një rol të qartë strategjik dhe kontribues në stabilitetin e Ballkanit dhe më gjerë.


 

Emini: Kosova të nisë debat të brendshëm për Asociacionin, jo negociata të ngutshme në Bruksel

48 min. më parë / 1 mar 2026 20:35
Donika Emini

Njohësja e politikës së jashtme, Donika Emini, ka këshilluar Qeverinë e Kosovës që të hapë një debat të gjerë dhe gjithëpërfshirës brenda vendit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në vend se të fokusohet menjëherë në negociata të nivelit të lartë në Bruksel.

Në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Emini ka thënë se rrethanat aktuale politike, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, nuk janë të favorshme për rikthim të shpejtë në dialogun e nivelit të lartë.
Sipas saj, për shkak të tensioneve të brendshme në Serbi, zgjedhjeve të pritshme dhe zhvillimeve gjeopolitike, Kosova duhet të shfrytëzojë kohën për t’u “rikalibruar” në raport me dialogun.
“Jo të implementojë Asociacionin menjëherë, por të fillojë debatin për implementimin e tij brenda vendit”, theksoi Emini.

Ajo shtoi se ky debat nuk duhet të kufizohet vetëm me serbët e veriut, por duhet të përfshijë edhe serbët në jug dhe segmentet tjera të shoqërisë, në mënyrë që të shmanget, siç u shpreh ajo, “obsesionimi vetëm me një segment shoqëror”.

Emini vlerësoi se një proces i brendshëm dhe i mirëfilltë diskutimi do t’i japë Kosovës kohë dhe hapësirë për t’u përgatitur më mirë për fazat e ardhshme të dialogut me Serbinë, duke theksuar se komunikimi bilateral me Bashkimin Evropian duhet të intensifikohet paralelisht.
Sipas saj, një qasje e re ndaj BE-së, e ndërtuar edhe mbi marrëdhënie më të forta ndërpersonale në Bruksel, është thelbësore për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.


 

Emini: Kosova nuk është më në qendër të vëmendjes së botës si në vitet ’90

1 o. më parë / 1 mar 2026 20:05
Donika Emini

Njohësja e politikës së jashtme, Donika Emini, ka thënë se një nga problemet kryesore të Kosovës është perceptimi se vendi vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare si në vitet ’90.

Në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Emini rrëfeu për përvojën e saj ndërkombëtare dhe ndryshimet në rendin global që ndikojnë drejtpërdrejt edhe Kosovën.

Emini, e cila aktualisht ndodhet në Graz në Qendrën për Evropën Juglindore, ka thënë se përvoja e jetës jashtë vendit – nga studimet në Gjermani, puna në Paris, doktoratura në Londër dhe ‘fellowshipi’ në Washington – i ka dhënë një perspektivë më të gjerë për Ballkanin dhe raportin e tij me Evropën.

Ajo e përshkroi shpërnguljen si një “shok kulturor”, duke theksuar se kur e sheh Kosovën nga jashtë, i kupton më qartë “të dy anët e medaljes”, sidomos në raport me Bashkimin Evropian.

“Ne ende mendojmë që jemi qendra e botës dhe dikush e ka një plan për Kosovën”, u shpreh ajo, duke shtuar se elitat politike që e njihnin Ballkanin në detaje dhe kishin fuqi vendimmarrëse në atë kohë, sot pothuajse nuk ekzistojnë më në pozita ndikimi as në Evropë dhe as në SHBA.

Emini theksoi se rendi botëror ka ndryshuar thellësisht dhe rrethanat gjeopolitike nuk janë më ato që ishin gjatë periudhës së intervenimit të NATO-s, kur Kosova kishte vëmendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare.

Sipas saj, pritja që aktorët ndërkombëtarë “të zgjohen çdo mëngjes me një plan për Kosovën” nuk përputhet me realitetin e sotëm global, ku prioritetet dhe balancat e fuqisë kanë ndryshuar ndjeshëm.