Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka pritur sot në një takim pune, shoqatën e familjeve të të zhdukurve në Malishevë, të prirë nga kryetari i kësaj shoqate, Hysen Kryeziu, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Në këtë takim, familjarët e të zhdukurve nga Komuna e Malishevës, i paraqitën disa nga problemet me të cilat ata ballafaqohen, ndërsa Begaj, ju ofroi mbështetjen e komunës, për zgjidhjen e problemeve që i takon nivelit komunal.
“Përveç paraqitjes së problemeve në nivel të përgjithshëm, shoqata dhe familjarët, thanë se nuk kanë zyrë për punën e shoqatës, ndërsa kërkuan që këto familje të kenë përparësi në punësime apo në subvencione. Po ashtu, kryetari i kësaj shoqate, Hysen Kryeziu, në emër të familjarëve, kërkoi që të Komuna të ketë edhe ditën e personave të pagjetur dhe të viktimave të luftës, kurse si datë e mundshme u propozua të caktohet 31 marsi, që përkon me “Masakrën e Burimit”, si masakra më e madhe në Malishevë”, thuhet në komunikatë.
Begaj u ofroi të gjithë mbështetjen e institucionit të komunës, për zgjidhjen e problemeve me të cilat ata ballafaqohen, e që niveli lokal është përgjegjës dhe ka mundësi, duke përfshi edhe botimin e një libri përkujtimor për personat e zhdukur nga Komuna e Malishevës.
Përndryshe, sipas të dhënave të prezantuar nga kryetari i Shoqatës së Personave të Zhdukur në Malishevës, Hysen Kryeziu, ende mbeten të pagjetur edhe 39 persona nga Komuna e Malishevës.