Arbëri

Diskutimet e Thaçit me liderët e subjekteve politike për një qeveri të re apo zgjedhje

Foto: Driton Paçarada / KD

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, mblodhi sot në zyrën e tij Albin Kurti, Isa Mustafën e Kadri Veselin. 

Thaçi, mbajti takime me liderët e partive politike në kuadër të konsultimeve për gjetjen e zgjidhjes pas votimit në kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Me të tre, zhvilloi takime të ndara. Kurti u deklarua për zgjedhje të jashtëzakonshme derisa Mustafa e Veseli ishin kundër mbajtjes së tyre. 

E nisi me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, në orën 10:00. Fillimisht, ky i fundit, pak minuta para se t’i shkonte në zyrë ia nisi një letër Thaçit. I tha se me të do të takohet vetëm për një çështje, për hapat e mëtejmë të Kushtetutës pas mocionit të mosbesimit, raporton KOHA.

LEXO EDHE: Kurti pas takimit me Thaçin: I theksova që pas mocionit të mosbesimit, duhet të shkohet në zgjedhje

Sapo përfundoi takimin me Thaçin, Kurti u deklarua për media duke thënë se nga presidenti ka kërkuar ta caktojë vetëm datën e zgjedhjeve. Për çështje tjera që s’kanë të bëjnë me zgjedhje ose me pandeminë Covid-19, Kurti tha se me të komunikon vetëm me shkrim.

“Takimi filloi për masat qa ka ndërmarrë qeveria për parandalimin e Covid-19. Përpjekjeve të presidentit që ne të flasim për qeveri të re për kandidatura të reja iu jemi përgjigjur me qëndrimin tonë që nuk mund të kapërcejmë diku tjetër duke shpërfillur e mohuar nenin 82. 2 të Kushtetutës që thotë se pas mocionit të mosbesimit ajo çka ngelet është të shkohet në zgjedhje të reja”, tha Kurti, raporton KOHA.

Pas Kurtit, në zyrë Thaçit i shkoi Mustafa.

Përkundër kryeministrit në detyrë, Mustafa i LDK-së që deri para rrëzimit të Qeverisë ishte partner në Qeveri, tha se janë kundër dhe nuk është koha zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Madje, tha se Qeverinë Kurti e kanë rrëzuar 82 deputetë, mjaftueshëm sa për të ndryshuar edhe Kushtetutën e Kosovë.

Lexo edhe: Mustafa: Me 82 vota e ndërrojmë edhe Kushtetutën, LDK-ja është për një Qeveri të re

“Duhet marrë parasysh që mocionin e mosbesimit e kanë votuar 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës, e që nënkupton se është shumica prej mbi dy të tretave, e cila ka të drejtë të ndryshojë edhe Kushtetutën. Ne jemi për atë që të bëhet një qeveri e re duke ndjekur të gjitha procedurat kushtetuese dhe procedurën që e ka paraparë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014. Ne vlerësojmë se nuk është koha të shkohet në zgjedhje, për shkak të pandemisë”, ka thënë Mustafa.

I fundit ishte kryetari i PDK-së Kadri Veseli që zhvilloi takim me presidentin Thaçi.

Edhe ky e quajti hipokrizi kërkesën për zgjedhje të jashtëzakonshme, në kohë të pandemisë.

“Krejt çka kërkojmë është të respektohet kushtetuta. Vullneti i sovranit është ma legjitimi por kur jemi në situatën e pandemisë është hipokrizi për zgjedhje te jashtëzakonshme”, ka thënë Veseli, raporton KOHA.

LEXO EDHE: Veseli e quan hipokrizi kërkesën për zgjedhje të jashtëzakonshme, në kohë pandemie

Dhe krejt në fund, para mediave u prononcua presidenti Hashim Thaçi. Njoftoi se takimet e tij me liderët e partive tjera si të AAK-së, Nismës, Listës Serbe dhe komuniteteve tjera jo shqiptare, do t’i vazhdojë nesër në të njëjtën mënyrë.

Thaçi tha se si president i vendit, pas mocionit të mosbesimit ndaj Kosovës, është detyruar duke respektuar kushtetutën dhe ligjet të fillojë konsultimet me partitë politike në vend për formimin e institucioneve.

LEXO EDHE: Thaçi: Sot nisën konsultimet me partitë politike për formimin e institucioneve

“Takimet po bëhen në mënyrë që të krijojë një bazë të opinioneve për veprimet që duhet ndërmarrë pas shkarkimit të qeverisë. Të gjitha veprimet e mëtutjeshme që do të ndërmarr si president pas konsultimeve që do t’i zhvillojë edhe nesër do të jetë transparente dhe në përputhshmëri me kushtetutën ligjet e praktikave të mëhershme. Do të jetë një proces i konsultuar kushtetues e ligjor për çka ju do të informoheni menjëherë pas konsultimeve”, tha Thaçi.

KOHA pati raportuar menjëherë pas rrëzimit të Qeverisë së Kosovës, se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vetëm dy opsione para vetes, pas votimit të mocionit të mosbesimit kundër Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Albin Kurti. I pari kërkon shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, e i dyti caktimin e një mandatari për formimin e Qeverisë së re, por i cili duhet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Kurtit, meqë është parti fituese.

Neni 100 i Kushtetutës thotë se nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje, ndërkaq neni 82 saktëson se Kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë, shkruan KOHA.

Më 25 mars 2020, me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, duke e rrëzuar atë.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti u zgjodh më 3 shkurt të këtij viti, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Partnerët e koalicionit gjatë 50 ditëve të bashkëqeverisjes kanë pasur vazhdimisht mospajtime.

Mospajtimet të mëdha mes Vetëvendosjes dhe LDK-së ishin në lidhje me shfuqizimin e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, masë kjo e cila është shfuqizuar tani dhe me Serbinë është vendosur reciprocitet.