Diplomati i karrierës që u sistemua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Ministrinë e Shëndetësisë, Agron Maloku, ka thënë se me këtë veprim ministrja Donika Gërvalla u hakmor ndaj tij, për siç pretendon, veprimeve të tij me Sindikatën e Shërbimit të Jashtëm.
Për “Interaktiv” të KTV-së të martën, Maloku ka thënë se me vendimin që në vend të tij të vendoset një zyrtar nga Ministria e Diasporës që nuk ka përvojë diplomatike, tregohet se kjo është hakmarrje ndaj veprimeve të tyre sindikale.
“Përvojën time në konkurrencë me një zyrtar që vjen nga një departament apo ministri tjetër, duke respektuar përvojën e tij, nuk mund ta ketë. Duke i dhënë përparësi këtij zyrtari që nuk ka përvojë në diplomaci, është hakmarrje ndaj veprimeve tona. Unë jam pjesë e MPJ-së që nga themelimi, pra që nga viti 2008”, ka thënë kryetari i Shoqatës Sindikale të Shërbimit të Jashtëm (SHSASHJ).
Maloku tutje ka thënë se kabineti i ministres së Jashtme, Gërvalla, me këtë veprim ka shkelur ligjin, pasi pretendon se Neni 24 i Ligjit për Zyrtarët Publikë thotë se zyrtarët duhet të njoftohen për proceset që i prekin ata. Ai thotë se si udhëheqës i Sindikatës, gëzon një lloj imuniteti.
“Unë as që kam qenë i njoftuar as nga Gërvalla, as nga zyrtarët e tjerë”, ka shtuar Maloku.
Ai tutje shprehet se reagimet e tyre si Sindikatë kanë qenë në lidhje me sistemazimin shkaku i bashkimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme me Ministrinë e Diasporës, për të cilat ai numëron një numër parregullsish.
“Që nga viti 2017, shkeljet janë evidentuara në dhënien e gradave, kur ne kemi reaguar. Kohëve të fundit, reagimet kanë qenë për sistemazimin, për ato që kanë bart pasoja. Ne kemi dashur t’i evitojmë këto pasoja. Ne kemi pritur që kjo Qeveri e ky kabinet do t’i respektojë këto rregulla. Nuk janë respektuar këto rregulla as për disa anëtarë të shërbimit të jashtëm, si në rotacion”, vijoi diplomati i karrierës.
Maloku akuzoi MPJ-në për mostransparencë e moskomunikim në lidhje me procesin e sistematizimit dhe për këtë ai paralajmëron pasoja.
“Mungesa e komunikimit do të ketë pasoja. Pasojat mund të marrin kohë për riparimin e tyre. Vendosja e një zyrtari që nuk ka përvojë në një administratë ku ka zyrtarë me grada të larta do të sjellë pasoja më vonë”, ka theksuar Maloku.
SHSASHJ-ja reagoi sot pas vendimit të MPJ-së për sistemimin e Malokut në MSH, duke kërkuar të njëjtën gjë ta bëjë edhe nga Bashkësia e Sindikatave të Pavarura të Kosovës. SHSASHJ-ja i ka bërë thirrje menaxhmentit të MPJD-së dhe MPB-së që ta shfuqizojnë vendimin për sistemimin e Malokut. Po ashtu ka kërkuar nga Avokati i Popullit ta trajtojë rastin.
Kjo Sindikatë ka paralajmëruar se shumë shpejt do të bëjë publike shkelje ligjore të tjera që janë bërë nga MPDJ-ja.
Maloku: Tenderin për vetura s’e nënshkrova sepse s’i plotësoi kriteret, e bëri zëvendësuesi im
Kryetari i Shoqatës Sindikale të Shërbimit të Jashtëm, Agron Maloku, ka thënë se në fundvitin e kaluar ka refuzuar ta nënshkruajë tenderin për blerjen e veturave rreth 150 mijë euro, që e ka kontraktuar Ministria e Punëve të Jashtme për shkak se nuk ka pasur kërkesë nga ana e misioneve diplomatike.
I ftuar të martën në Interaktiv të KTV-së, Maloku ka thënë se për këtë shkak ka vlerësuar se nuk janë plotësuar kriteret që të iniciohet një procedurë e tillë.
“Është kërkuar që të iniciohet nga ana ime, sipas praktikës së mëhershme, nuk ka pasur kërkesë nga ana e misioneve diplomatike dhe në mungesë të këtyre kërkesave unë kam hezituar dhe kam kërkuar që të plotësohen kriteret që të parashtrohet një kërkesë dhe në këtë mënyrë kam menduar se nuk janë të plotësuara kriteret që të iniciohet një procedurë e tillë dhe më pas nuk e kam iniciuar”, ka thënë ai.
Këtë tender të panënshkruar nga ana e tij, thotë se e ka proceduar një tjetër zyrtar, Ragip Zejnullahu, i cili është vendosur në pozitën nga ku e kanë larguar Malokun.
“Kjo konsiderohet si ndërhyrje, është i njëjti zyrtar që është vendosur në pozitën nga ku më kanë larguar. Më pas e kam kuptuar që ajo procedurë është zhvilluar nga ana e tij (Ragip Zejnullahut). Arsyeja pse nuk e kam proceduar tutje është sepse nuk ka pasur kërkesa nga misionet diplomatike. Në raste kur ka nevojë, parashtrohet kërkesa, pastaj bëhet aprovimi i kërkesës dhe fillojnë procedurat sipas legjislacionit. Në këtë rast në mungesë të këtyre kritereve nuk kam vazhduar dhe mendoj se kam vepruar në formën e duhur”, është shprehur ai.
Maloku ka shtuar se për këtë çështje nuk e di nëse është e informuar ministrja Donika Gërvalla, por se kriteret e funksionimit të çështjes shkojnë deri në Zyrën e Sekretarit.
“Kërkesa duhet të aprovohet prej sekretarit për të vazhduar më pas me inicim. Kabineti apo vetë ministrja nuk e di nëse është e informuar apo jo, zyra e sekretarit do të duhej të jetë e informuar në kuadër të përgjegjësive që kanë”, ka thënë ai.
Më 16 shtator të këtij viti, Maloku ka pranuar një vendim nga Ministria e Punëve të Brendshme, përmes së cilit ai sistemohet nga Ministria e Jashtme në atë të Shëndetësisë, “në kuadër të sistematizimit dhe riorganizimit të ri të MPJD-së”.
Shoqata që e përfaqëson Maloku ka konsideruar se një veprim i tillë është bërë qëllimshëm me synim hakmarrjen për shkak të veprimtarisë sindikale të Malokut.
Në vend të tij është vendosur Ragip Zejnullahu.