Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Diaspora kërkon të ndihmojë në Kosovë me ekspertë, jo vetëm me remitenca

Diaspora mund të japë shumë kontribute për Kosovën, përtej ndihmës financiare. Kështu thonë Shpresa Loshaj, këshilltare në qeverinë e Kanadasë, dhe Besnik Miftaraj, konsull i Kosovës në Shtutgart.

Sipas tyre, Kosova duhet t’u ofrojë më shumë hapësirë për ndihma të ndryshme ekspertëve të shumtë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

“Ne jemi diasporë, por ne jemi Kosovë. Mua më mungon të jetoj si kosovare, si qytetare aktive në Kosovë. Unë punoj si këshilltare politike dhe me gjithë qejf kisha dashtë të bashkëpunoj me zyrat në Kosovë, ndonjë ndihmë teknike, përpilim të strategjive e rregullore. Janë 150 ekspertë që kanë ardhur dhe të gjithë të gatshëm të ndihmojnë vendin”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së duke komentuar konferencën katërditore “Diaspora Flet” të organizuar nga Kuvendi në bashkëpunim me organizatën “Germin”.

Sipas saj, në Kosovë kanë ardhur shumë pajisje nga shumë vende të ndryshme, por ato kanë mbetur pa hyrë fare në funksion. Ajo ka thënë se zyrtarët nuk kanë ditur as si të punojnë me to, andaj “duhet të ketë ndihma se si të funksionalizohen këto”.

Ajo ka komentuar edhe gjendjen në shëndetësi duke thënë se deri tash ajo është lënë gjithmonë anash.

Edhe Raporti i Germinit: Çdo e treta ekonomi familjare pranon remitenca, shumë varen nga to Arbëri Raporti i Germinit: Çdo e treta ekonomi familjare pranon remitenca, shumë varen nga to

“Shëndetësia është lënë gjithmonë anash dhe me përkushtim politik të kryeministrit e ministrit do të mund të ndodhë diçka dhe me gjithë qejf do të kontribuoja në zhvillim të strategjive, zbatimin e rregullave në kontekst të Kosovës. Deri tash kam pa që kanë qenë rregullore nga vendet e huaja, që s’janë përshtatë në Kosovë. Nuk jam takuar me ministrin e Shëndetësisë, sepse nuk kam dëgjuar se ka prioritete për shëndetësinë. Nëse ka prioritet, me gjithë qejf do të takohesha. Me thënë se e kanë prioritet është diçka tjetër, por nëse është ashtu duhet të jetë edhe në buxhet. Nuk e di sa e ka treguar këtë qeveria e Kosovës”, ka shtuar ajo.

Loshaj ka thënë se në Kanada janë rreth 50 mijë shqiptarë, të shpërndarë në të gjithë vendin. Ka thënë se ka edhe klasa me mësim shqip dhe se shqiptarët janë të integruar mirë në shoqërinë kanadeze.

Në anën tjetër, Miftaraj ka thënë se vetë ardhja e 150 ekspertëve të fushave të ndryshme për këtë konferencë në vend, tregon që diaspora është e gatshme të ndihmojë Kosovën në të gjitha fushat.

“Dialogu i strukturuar i filluar nga ‘Germin’ është hap shumë i madh dhe mbledhja e 150 ekspertëve nga e mbarë bota këto ditë në Prishtinë dhe ndërlidhja me institucionet, duke filluar nga Kuvendi, deputetët e te ministrat e OJQ-të, pasqyron edhe njëherë qartë se diaspora është e gatshme me ndihmuar, pos remitencave. Në bazë të anketimeve që janë bë, del që mbi 90 për qind e pjesëtarëve të diasporës janë të interesuar të kontribuojnë për vendin me njohuritë e tyre, me angazhim direkt në institucione, së paku për disa muaj, varësisht prej obligimeve në vendet e tyre. Janë hartuar programe të ndryshme për fusha të ndryshme si mund të angazhohet diaspora e të jetë pjesë më integrale e institucioneve dhe shoqërisë sonë”, ka thënë ai. “Diaspora duhet të kalojë nga një fazë e mbështetjes financiare në një fazë të mbështetjes intelektuale dhe dhënien e këshillave profesionale”.

Edhe Qeveria synon përfshirjen e diasporës në diplomaci Arbëri Qeveria synon përfshirjen e diasporës në diplomaci

Ai ka përmendur disa prej kërkesave kryesore të diasporës. Sipas tij, funksionarët që kanë ardhur direkt nga diaspora duhet të jenë zë më i fortë i diasporës. Kartoni i Gjelbër është pengesë tjetër për diasporën, por Miftaraj ka thënë se tash të paktën është lehtësuar procesi i pagesës së polisave të sigurimit për shkak të mundësisë online. Angazhimi i ekspertëve dhe përfaqësimi në politikë-bërje janë kërkesat tjera të diasporës.

Edhe në Shtutgart, sipas Miftarajt, ndiqet mësimi plotësues në shqip, por sipas tij kjo bëhet nga një numër i vogël i diasporës. Ai ka thënë se shumë shqiptarë në Gjermani kanë arritur të zënë pozita të larta në drejtori të ndryshme dhe e kanë lehtësuar qasjen institucionale të shqiptarëve në raport me institucionet gjermane.