Pas shumë përpjekjeve të Bashkimit Evropian, më saktësisht të të dërguarit të posaçëm të saj, Miroslav Lajçak, si dhe pas më shumë se një muaji, në Bruksel është zhvilluar një takim i ri në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Takimi kësaj radhe u zhvillua mes shefave te delegacioneve, apo koordinatorëve.
Kosovën e përfaqësoi Skender Hyseni, ndërsa delegacioni i Serbisë u përfaqësua për herë të parë nga Petar Petkoviq, drejtor i së ashtuquajturës “Zyrë koordinuese për Kosovën dhe Metohinë” në qeverinë e Serbisë. Marko Gjuriq, i cili e ka udhëhequr deri më tani delegacionin e Serbisë, është emëruar ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pos faktit se u zhvillua takimi, as ky rund nuk solli ndonjë përparim në proces teksa palët, të paktën bazuar në atë që thanë publikisht, mbetën në pozicionet e tyre të mëparshme, përfshirë edhe rreth asaj se cilat tema duhet të trajtohen si prioritete. Por, për përfaqësuesin e posaçëm, Lajçak, vetë fakti se takimi u zhvillua, u pa si një “hap drejt marrëveshjes”.
“Sot kemi bërë edhe një hap drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse normalizimi, duke e mbajtur rundin e dytë të bisedimeve për pretendimet financiare dhe pronat. Dhe, është hera e parë që kryenegociatori serb, Petar Petkoviq u është bashkuar diskutimeve. Do të vazhdohet së shpejti”, ka shkruar Lajçak në Twitter pas takimit. Përmes një komunikate me shkrim, edhe qeveria e Kosovës është shprehur rreth këtij takimi ndërsa para gazetarëve ka folur vetëm përfaqësuesi i Serbisë.
Qeveria e Kosovës ka thënë se temë e diskutimit ishte zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve.
“Në kuadër të kësaj teme sot është biseduar ekskluzivisht për pensionet dhe kadastrin. Përkundër diskutimit të gjatë për këto tema, ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve. Por megjithatë, është arritur pajtueshmëri që diskutimi i këtij elementi të marrëveshjes së përgjithshme, pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve, të vazhdohet në takimin e radhës”, shkruhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Delegacioni i Kosovës ka insistuar pas të gjitha takimeve se këto nuk janë diskutime teknike, por politike dhe se gjithçka që arrihet do të jetë pjesë e një marrëveshjeje finale, e cila do të nënkupton njohjen e Kosovës.