Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka lehtësuar një varg çështjesh teknike në të mirët e qytetarëve të të dyja vendeve, por kalimi në fazën e bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, e ka dëmtuar subjektivitetin e Kosovës në planin ndërkombëtar, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Dëmet për Kosovën, sipas tyre, për më shumë vazhdojnë të rriten për shkak të mosarritjes edhe më tej të marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve.
Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është duke humbur nga dialogu që po zhvillon me Serbinë, sepse kjo e fundit, në të gjitha shkresat zyrtare që po ua dërgon vendeve të ndryshme, kërkon mosnjohjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
“Në subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, kjo po sjellë dëme, sepse të gjitha vendet po rezervohen që të marrin qëndrime të fuqishme për përkrahjen e Kosovës në integrimet euro-atlantike dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke e pritur rezultatin, me arsyetimin që ‘ne nuk do të paragjykojmë asnjë zgjidhje’. Simptomatike ishte tërheqja e njohjeve - ndonëse në diplomaci nuk njihet si e tillë, por si ngrirje e marrëdhënieve - që disa vende po e bëjnë ndaj Kosovës, sepse po u thonë që derisa të përfundojë marrëveshja, ne nuk do të kemi marrëdhënie ose do t’i ngrijmë marrëdhëniet”, theksoi Tahiri.