Arbëri

Di Bella: Diaspora, kontribuuesi më i madh i aktivitetit ekonomik në Kosovë

Diaspora

Sektori bankar në Kosovë është vlerësuar ndër sektorët më të suksesshëm gjatë ceremonisë së shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Bankave. Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Garbiel di Bella, ka thënë me këtë rast se diaspora është kontribuuesi më i madh i aktivitetit ekonomik, derisa ka përmendur edhe ikjet e qytetarëve nga Kosova. Pjesëmarrësit e tjerë në ceremoni e kanë vlerësuar si stabil sektorin financiar

Diaspora është kualifikuar si kontribuuesi më i madh në aktivitetin dhe dinamikën e zhvillimit ekonomik në Kosovë nga shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gabriel di Bella, gjatë një konference të organizuar të enjten nga Shoqata e Bankave të Kosovës, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të saj.

Me këtë rast Di Bella e ka potencuar rëndësinë e diasporës për dinamizmin ekonomik kundruall dukurisë së ikjes së qytetarëve nga Kosova.

“Qartazi vërehet se diaspora jep një dinamizëm ekonomik. Për sa i përket demografisë, popullsia e Kosovës nuk është duke u rritur dhe njerëzit mund të largohen, por ka një përmirësim dhe kjo do të jetë një burim për Kosovën”, ka thënë ai.

Panelistët e tjerë pjesëmarrës në ceremoni e kanë vlerësuar lart rolin e bankave në stabilitetin financiar dhe në mbështetjen e eksporteve nga ky sektor.

Neil Taylor, shef i Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim, ka thënë se sektori bankar mbetet ndër më të suksesshmit në Kosovë, teksa e ka vlerësuar si të rëndësishme edhe fillimin e punës së Gjykatës Komerciale.

“Gjykata Komerciale është shumë e rëndësishme, pastaj kemi vazhdimin e investimit në infrastrukturë, kjo është diçka që e shohim si gur themel për suksese. Po e shohim shtimin e eksportit në dy vjetët e fundit. Kjo është shumë e mirë. Vërtet nëse bëhet fjalë për rritjen e huave për 18 për qind, edhe kjo është storie suksesi”, ka thënë Taylori.

Eriola Bibolli, përfaqësuese nga “ProCredit Bank” në Kosovë, ka folur lidhur me mbështetjen e prodhuesve vendorë për rritjen e eksporteve. Ajo ka theksuar se importet janë për gjashtë herë më të larta sesa eksportet, në atë që tregon për një deficit tregtar. Por Bibolli ka shtuar se sektori bankar veçse ka një strukturë të mirë të kredive për konsumatorët.

Rinor Gjonbalaj, kryetar i Bordit të Drejtorëve në Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), ka bërë të ditur se qëllimi i Fondit që e përfaqëson është që t’i ndihmojë ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme për të pasur qasje në financa.

“Në vitin 2021 çdo e katërta kredi biznesore deri në 50 mijë euro ka qenë e garantuar nga fondi. 16 për qind e krejt kredive deri në 1 milion euro për biznese kanë qenë të garantuara nga fondi. Për momentin, i kemi rreth 55 milionë euro kapital, i kemi tre donatorë kryesorë”, ka theksuar ai.

Arian Haxhibeqiri, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Bankës Ekonomike, ka theksuar mbështetjen e institucionit të tij bankar për bizneset lokale.

“Banka Ekonomike ka krijuar lehtësira. Ato janë krijuar përmes politikave dhe procedurave, ku kryesisht në planet e pagesave të prodhuesit, ku qëllimi gjithmonë ka qenë që pavarësisht investimit në makineri, në zgjerim të kapaciteteve të krijojë plane fleksibile që klienti të përmbajë likuiditetin gjatë periudhës investive”, ka thënë ai.

Në pjesën e parë të ceremonisë guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka potencuar rëndësinë e madhe të sektorit bankar në zhvillimin ekonomik.

“Sektori bankar dhe financiar është stabil, likuid dhe mirë i kapitalizuar. Sfida kryesore në këtë sektor është bankimi modern dhe digjital”, ka thënë Mehmeti.

E Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka theksuar se krahas zhvillimit ekonomik, sektori bankar ka rëndësi të madhe edhe për zhvillimin e industrisë.

“Unë vij t’ju jap porosinë për nevojën për një sektor të qëndrueshëm bankar që ka shumë rëndësi për zhvillim të industrisë sonë, sepse industria është ajo që sjell zhvillim ekonomik, punë e drejtësi. Kompanitë e vogla dhe të mesme janë 90 për qind në Kosovë, ne kemi mundësi për më shumë prodhime si shoqëri”, ka thënë ajo.

Ndërkaq kryeshefi i Shoqatës së Bankave, Petrit Balija, ka folur për rëndësinë e shoqatës në zhvillimin e sektorit bankar, teksa ka theksuar se ky sektor është ndër më të suksesshmit në Kosovë.