Arbëri

Dhunimi i burrave, plaga e heshtur e luftës

Kur lufta në Kosovë kishte arritur kulmin në maj të vitit 1999, një i ri nga një fshat i Kosovës, së bashku me burra dhe gra të tjera, u morën dhunshëm nga policia dhe paramilitarë serbë dhe u vendosën në një motel. Shumë prej tyre, të rinj dhe të reja u dhunuan seksualisht. Disa prej tyre edhe u vranë.

Radio Evropa e Lirë ka intervistuar njëri nga burrat e dhunuar, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë.

“Më ka thënë ulu në gjunjë dhe kam rënë me kokë kah muri, më ka mbështetur kokën në mur dhe më ka thënë hiqi pantallonat. Sa kam qëndruar pa vetëdije, një orë apo dy, nuk e di sigurt sa kam qëndruar në atë pjesën aty. Kur më ka dalë – kisha qenë duke mërdhirë. Më ka dalë ajo kllapia e asaj dhimbjeje edhe e kam parë që ftohtë dhe e kam prekur me dorë ... dora m’u bë krejt gjak”, ka thënë viktima.

Ai qëndroi pa ushqim disa javë i mbyllur në bodrumin e ndërtesës. Ujin e vetëm që kishte për të pirë, ishte uji i toaletit që vinte nga katet e mësipërme.

“Pastrimin e tij (bodrumit) e bënim çdo tri ditë. Se pjesa ku binte uji, binte prej WC-ve, binte në atë bodrum atë. Ujë kam pirë, nuk mund të them dy apo tri herë, por me dhjetëra herë në bazë të maltretimit që ma bënin. Pastaj, pjesa e lukthit ... se jam operuar nga lukthi (operimi ka ndodhur pas luftës) dhe u bë për shkak të atyre ujërave dhe se më kishin pas hyrë disa mikrobe dhe është infektuar lukthi. Një pjesë të lukthit ma kanë hequr si dhe një pjesë të zorrës së trashë”, ka thënë ai.

Përveç dhunimeve në vendin e njëjtë ndodhën edhe vrasje.

“Dhunime që kanë bërë ndaj femrave nuk kam parë, por i kam dëgjuar, se afërsia ime ku kam qëndruar unë dhe iu kanë bërë disa maltretime, ka qenë 4 deri në 5 metra largësia. I kemi dëgjuar. Ditën e saktë nuk e di. I kam parë me sy edhe kur dy persona i kanë mbytur në prezencën time. Atë ditë, njërin e kanë goditur në anën e përparme në pjesën e zemrës ose të lukthit, kurse tjetrin e kanë goditur pas qafës”, rrëfen ai.

Selvi Izeti, psikologe në Qendrën e Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, thotë se më shumë se 20 vjet pas mbarimit të luftës, çështja e dhunës seksuale ndaj burrave vazhdon të mbetet e heshtur dhe e fshehur.

Ajo thotë se për dallim prej disa grave, burrat vazhdojnë të mos flasin, duke mos kërkuar as trajtim e as njohje të statusit.

“Stigma që i rrethon të mbijetuarit meshkuj është shumë më e theksuar sesa stigma që i rrethon të mbijetuarat vajza dhe gra që përballen me dhunën seksuale”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

Sipas deklaratave publike të zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të dhunës seksuale. Në vitin 2018 filloi punën një komision që njeh statusin e personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës. Deri më tash, ku komision ka pranuar 1,361 aplikacione. Sipas të dhënave, statusi i viktimave iu është njohur 894 personave, prej tyre 31 janë burra. Minire Begaj Balaj, tha për REL-in se ndodh që ka numër më të madh të tyre, por për një arsye por tjetër, disa persona kanë krijuar familje dhe nuk duan ta hapin këtë plagë.

Njëzetenjë vjet pas luftës jeta e këtij burri vazhdon të jetë e vështirë. Ai vuan nga traumat psikologjike dhe e ka të vështirë të jetojë pa praninë e përhershme të ndonjë familjari. I njëjti vazhdon të marrë trajtim shëndetësor si pasojë e lëndimeve që i mori gjatë luftës. Siç shprehet ai, shumicën e policëve që kanë ushtruar dhunë ndaj tij, i ka njohur.

“Me emra i kam deklaruar se kush kanë qenë”, u shpreh ai për REL-in. Më shumë se dy dekada pas mbarimit të luftës, asnjë person individualisht nuk është dënuar për krime seksuale. Gjatë vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999, kur mbaroi lufta, më shumë se 13 mijë persona u vranë, shumica prej tyre shqiptarë.

Storja është publikuar me lejen e Radio Evropa e Lirë