Përfaqësues të Rrjetit të organizatave “Demokracia Fillon Këtu” (DFK), po konsiderojnë se shkak për mosmiratimin e propozim-rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në Podujevë janë bërë zgjedhjet lokale.
Drejtori ekzekutiv, Shemsi Jashari, ka thënë se miratimi i këtij dokumenti dhe zgjedhja e këshillave të rinj mund të shfaqin pakënaqësi te qytetarët, pasi me Udhëzimin e ri Administrativ jo çdo fshat do të mund të ketë këshillin e vet.
“Shoqëria civile në Podujevë ka avokuar dhe shtyrë përpara idenë e nevojës për themelimin e këshillave të fshatrave dhe lagjeve në nivel të Komunës së Podujevës që nga viti 2018. Por, deri më tani nuk ka kaluar si rregullore e miratuar për t’i hapur rrugë themelimit të këtyre këshillave. Arsyeja për mosmiratimin e kësaj rregulloreje është kryekëput politike”, ka thënë Shemsi Jashari. Sipas tij, ky dokument nuk është miratuar as pas ndërrimit të qeverisë lokale në Podujevë.
“Derisa ishte në pushtet LDK-ja, deri në dhjetor 2020, kjo rregullore nuk miratohej me motivin se përfaqësuesit e lagjeve ishin të emëruar politikë nga vetë LDK-ja dhe në këtë formë donin t’i kontrollonin politikisht këta mekanizma. Po të rregullohej përmes zgjedhjes, sipas rregullores e humbnin ndikimin politik. Kur u ndërrua pushteti lokal dhe erdhi LVV-ja, kjo rregullore me vonesë doli në diskutim publik, por nuk u procedua për miratim asnjëherë”, ka theksuar drejtori ekzekutiv i DFK-së. “Ne besojmë se arsyeja është për të mos ngjallur pakënaqësi te qytetarët, e që do të ndikonte në vota tash kur jemi në proces zgjedhor, pasi me Udhëzimin Administrativ që rregullon këtë fushë parashihen vetëm 30 këshilla lokale përderisa kemi 78 njësi administrative (fshatra-lagje) dhe jo të gjithë janë të kënaqur me kriteret e vendosura nga udhëzimi administrativ”.
Me këto kritere, siç thotë Jashari, parashihet që dy ose më shumë fshatra ta kenë një kryesues këshilli dhe kjo, sipas tij, mund të ngjallë pakënaqësi në fshatra e lagje të caktuara.
“Pasi të gjithë duan të marrin pozitën e kryesuesit të këshillit. Prandaj, për t’i ikur mundësisë së shfaqjes së këtyre pakënaqësive edhe qeverisja e LVV-së nuk e ka proceduar tutje këtë rregullore.
Mungesa e kësaj rregulloreje dhe zgjedhja demokratike sipas udhëzimit të këshillave të lagjeve dhe fshatrave shkakton mangësi në të gjitha fazat e planifikimit, shpërndarjes së buxhetit për projekte prioritare dhe përjashton qytetarin nga vendimmarrja e drejtpërdrejtë ashtu siç duhet të jetë”.
Shemsi Jashari kërkon që qeverisja e re e dalë nga këto zgjedhje ta procedojë pa vonesa këtë rregullore pasi, sipas tij, është e rëndësisë së veçantë për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Zyrtarët komunalë të Podujevës gjatë ditës nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS për vonesën e miratimit të kësaj propozim-rregulloreje. Në muajin maj të këtij viti është vënë në diskutim publik ky dokument. Atë ditë, zyrtarët e LDK-së kishin kërkuar shtyrjen e saj, por votat e VV-së e PDK-së kishin mjaftuar që ky propozim-rregullore të vihet në diskutim publik. Megjithatë, nga atëherë nuk është proceduar në Kuvend për miratim.