Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Destabilizim me paramendim

Miti i paprekshmërisë dhe i mosarrestimit të zyrtarëve serbë, në rastet kur paligjshëm futen brenda territorit të Kosovës, është thyer të hënën.

Drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i ka kushtuar me arrestim dhe tërheqje kokulur në rrugët e kryeqytetit shkelja e ndalesës për hyrje në territorin e Kosovës, të vënë nga autoritetet, shkruan sot Koha Ditore.

Provokimit të Serbisë, me gjithë paralajmërimet se do t’i presë arrestimi, Kosova i është përgjigjur duke vënë në zbatim masat, të paprovuara deri më tani në raport me zyrtarët serbë.

Përveç intervenimit të njësive speciale të Policisë me gaz e bomba shoku në veri, Gjuriq u tërhoq zvarrë dhe i prangosur edhe në qendër të Prishtinës.

Dhjetëra qytetarë serbë të Mitrovicës më kot janë munduar që ta pengonin aksionin e policisë. Ky është një nga aksionet e rralla në veri, derisa më i madhi kishte ndodhur në vitin 2011, ku në përpjekje për ta shtrirë kontrollin në pikat kufitare në Jarinje dhe në Bërnjak kishte mbetur i vrarë polici Enver Zymberi.

Edhe Dy prokurori merren me aksionin që ia vuri prangat Gjuriqit Arbëri Dy prokurori merren me aksionin që ia vuri prangat Gjuriqit

Të drejtë dhe të ligjshëm e kanë vlerësuar arrestimin e Gjuriqit, por po ashtu janë dhënë paralajmërime se tensionimi i situatës në veri mund të jetë hyrje në kompromise të reja me Serbinë. Brukseli zyrtar dhe diplomatë kanë kërkuar përmbajtje dhe zgjidhje të problemeve me dialog. Arrestimi i zyrtarit serb u bë pak ditë pas darkës së presidentëve Thaçi-Vuçiq në Bruksel, dhe vetëm pak orë pas pajtimit të Prishtinës zyrtare që të nisin angazhimet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kjo ka bërë që Vetëvendosje të hedhë dyshime se aksioni mund të jetë skenar i lidhur me Asociacionin dhe paralajmërimet e Vuçiqit për zgjidhjen që do të prezantojë në prill të këtij viti. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)