Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dështon furnizimi me vaksina sezonale, MSh-ja anulon tenderin milionësh për të dytën herë

Rreth 100 për qind më shumë së sa buxheti i planifikuar e Ministrisë së Shëndetësisë, ka qenë oferta e vetme për furnizim me vaksina sezonale.

Nga 2 milionë e gjysmë sa MSh-ja ka ndarë për këtë produkt, vetëm një operator ekonomik ka ofruar vaksinat por me vlerë rreth 5 milionë e gjysmë.

Për shkak të tejkalimit të buxhetit, tenderi siç ligjërisht është e përcaktuar në Ligjin e Prokurimit Publik, është anuluar.

Vaksinat sezonale, sipas rekomandimeve të organizatave ndërkombëtare që merren më shëndetësi fillojnë të jepen në fund të muajit tetor dhe vazhdojnë edhe në javët e para të nëntorit.

Ministria e Shëndetësisë, pas anulimit të këtij tenderi nuk ka asnjë mundësi që të bëjë furnizimin më kohë.

Edhe Qeveria dështon që t’i sigurojë me kohë vaksinat sezonale, përgjysmon sasinë në tenderin e dytë Arbëri Qeveria dështon që t’i sigurojë me kohë vaksinat sezonale, përgjysmon sasinë në tenderin e dytë

Kjo është herë e dytë që brenda disa muajsh është anuluar ky tender, raporton KOHA.

Në korrikun e këtij viti një nga zotimet e Qeverisë së Kosovës ishte që si masë për mbikëqyrjen e situatës epidemiologjike me COVID 19, të vaksinohen me vaksina sezonale gjysmë milioni kosovarë. Një zotim i tillë është pjesë edhe e vendimit të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 5 korrik.

Herën e parë ishte planifikuar blerja e rreth 400 mijë vaksinave sezonale. 8 euro asokohe planifikohej që të blihej një vaksinë, megjithatë oferta e vetme që e kishte pranuar MSh-ja, ishte rreth 8 milionë e gjysmë ose 22 euro për njësi. Për arsye të tejkalimit shumë të madh të buxhetit të planifikuar, tenderi ishte anuluar.

Ritenderimi kishte të tjera rrethana. MSh-ja pothuajse kishte përgjysmuar sasinë e vaksinave të kërkuara. Nga 400 mijë tanimë kishte kërkuar 250 mijë vaksina.

Vlera e buxhetit të planifikuar është rreth 2 milionë e 600 mijë euro.

Nëse kalkulohet kjo shifër me sasinë që planifikon Ministria e Shëndetësisë të kontraktojë, i bie që më së shumti një vaksinë do të blihet në vlerën 10 euro e 60 centë.

Edhe Anulohet tenderi për vaksina sezonale, kompanitë ofertuan deri në 22 euro për copë Arbëri Anulohet tenderi për vaksina sezonale, kompanitë ofertuan deri në 22 euro për copë

Megjithatë Ministria e Shëndetësisë, ka një kontratë të nënshkruar për furnizim me vaksina.

Në prillin e këtij viti, ky institucion, përmes prokurimit të UNICEF-it, ka kontraktuar rreth 120 mijë vaksina.

Dallimi i çmimit të tenderëve janë zhvilluar nga MSH-ja kanë vaksinat e kontraktuara përmes UNICEF-it, në prillin e këtij viti, ku për një vaksinë ishte paguar 5 euro e 51 centë.

Çmime më të ulëta për vaksina sezonale janë në dy vendet e rajonit.

Sipas çmimorëve publike, në Shqipëri çmimi i aprovuar për një vaksinë sezonale është 6.63 euro, ndërsa në Maqedoni është 13 euro.

Edhe Humbja e gjysmë milioni euro: Rreth 70 mijë vaksinave sezonale u skadoi afati Arbëri Humbja e gjysmë milioni euro: Rreth 70 mijë vaksinave sezonale u skadoi afati

Nëse kompania do të vendosë të ankohet atëherë do të zgjatë rreth dy muaj në OSHP. Koha e ankimimit nuk mund të shkurtohet, e as të hapet tender i ri pa një vendim të OSHP-së.

Tenderi për vaksina është i pari që rreth 15 vjetësh po zhvillohet nga Ministria e Shëndetësisë, pasi që nga viti 2005 vaksinat blihen përmes prokurimit të UNICEF-it. Çdo vit Kosova ka kontraktuar rreth 80 mijë vaksina sezonale në vit. Rritja e numrit këtë vit ishte synuar të bëhet për shkak të situatës me COVID-19.