Arbëri

Dëshmitari i mbrojtjes insiston se Pjetër Shala ishte ushtar i thjeshtë në UÇK

Dëshmitari Mark Shala e ka përmbyllur dëshminë e tij me insistimin se Pjetër Shala nuk pati rol komandues në UÇK dhe se ishte veç një ushtar i thjeshtë. Në përmbylljen e përgjigjes së tij, ai tha se është keqkuptuar nga përkthyesit kur ka dhënë dëshminë e parë

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Mark Shala, e ka përmbyllur dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në rastin ku Pjetër Shala akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë e vrasje në Fabrikën e Metaleve në Kukës në periudhën maj-qershor 1999.

Dëshmitari nuk ka lidhje familjare me Pjetër Shalën, pavarësisht se e kanë mbiemrin e njëjtë. Ai, edhe në ditën e tretë të dëshmisë insistoi se Shala nuk pati post udhëheqës në UÇK dhe u pyet nga gjyqtari Gilbert Bitti për rolin që ka pasur i akuzuari në “Operacionin Shigjeta”.

“Rreshti 25 thotë: ‘Pjetër Shala a ka pasur ndonjë rol në Operacionin Shigjeta?’ Shkojmë te faqja tjetër në anglisht. Përgjigje: ‘Asgjë. Kurrfarë roli’. Keni qenë shumë i vendosur në përgjigjen tuaj. A mund të më thoni tani a ka pasur apo jo rol, sepse kemi një kontradiktë tashmë mes asaj që keni thënë më përpara dhe tani. A mund të na e shpjegoni këtë?”, ka qenë pyetja e gjyqtarit.

Por, dëshmitari ka thënë se në intervistën nga hetuesit, është përgjigjur në kuptimin se Shala nuk ka pasur rol në hierarki të UÇK-së.

“Unë edhe atëherë pyetjen e kam kuptuar në atë mënyrë që kur të thuhet ‘a ka pasur ndonjë rol’ që në gjuhën shqipe kuptohet a ka pasur ndonjë pozicion. E në qoftë se ka qenë vetëm si pjesëtar i UÇK-së, çdo pjesëtar në qoftë se nuk ka pasur pozicion të ndonjë komandanti, atëherë normalisht se e ka pasur rolin e ushtarit. Në atë mënyrë e kam kuptuar dhe në atë mënyrë e kuptoj edhe sot, (vetëm) nëse është ndonjë gabim prej përkthimit apo diçka ndryshe”, ka thënë dëshmitari Shala.

Dëshmitari po ashtu e konfirmoi se Shalën e ka takuar në prill, kur ushtarët e UÇK-së po i zinin pozicionet për operacionin “Shigjeta”.
Për këtë, gjyqtari Bitti ia shtroi disa pyetje dëshmitarit.

“Pra ju personalisht nuk e dini a ka marrë pjesë në operacionin shigjeta, por unë s’po kuptoj këtë se ju po më thoni se e keni takuar në prill kur po shkonte në front, por operacioni shigjeta nuk ka filluar në prill. A ma sqaron se nuk po e ndjek dot?”, ka insistuar gjyqtari.

“Operacioni shigjeta ka filluar në maj”, është përgjigjur dëshmitari.

Gjyqtari ka vazhduar me pyetjet.

“Pra në prill ai nuk ka shkuar të marrë pjesë në operacionin shigjeta? Atëherë nga e dini ju që në maj ka marrë pjesë në operacionin shigjeta?”, ka pyetur Bitti.

“Njësitet tona gjithë kohën i kemi pasur në pozicione që nga fillimi, por luftimet, operacioni shigjeta ka filluar diku në maj”, ka insistuar dëshmitari Mark Shala.

Gjykimit të Pjetër Shalës po i afrohet fundi, meqë dëshmitarët e prokurorisë kanë përmbyllur dëshmitë e tyre, derisa pritet të dëgjohet edhe një numër i vogël i dëshmitarëve nga ana e mbrojtës. Pritet që aktgjykimi të shpallet brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm.