Zmbrapsja e Kosovës nga hapja e Ambasadës në Jerusalem, shpallja si terroriste e lëvizjes së Fetullah Gylenit dhe mbyllja e shkollave të afërta me të, janë tri kërkesat për koalicion, të cilat do t’ia shtrojë Lëvizjes Vetëvendosje Partia Demokratike Turke e Kosovës.
Sipas kreut të KDTP-së, Fikrim Damka, qëndrimet e partisë së tij do t’i bëhen të ditura kreut të LVV-së, Albin Kurti, gjatë takimit mes tyre, që ai thotë të jetë caktuar për të martën.
“Ju tash, e keni lexuar se të hënën po flitet se do të hapet ambasada në Jerusalem? Për këtë çështje do të bisedojmë me Albin Kurtin në qoftë se jemi pjesë e Qeverisë. Për shpalljen dhe për shkollat e Fetullah Gylenit në Kosovë besoj se duhet të merren hapa konkretë përfundimisht të mbyllen këto shkolla sepse e dëmtojnë shoqërinë e Kosovës dhe dëmtojnë raportet e Kosovës me Republikën e Turqisë”, ka thënë ai.
Posaçërisht insistues, Damka është treguar rreth zotimit të Kosovës për hapjen e Ambasadës së saj në Jerusalem.
“Tash në qoftë se e shihni nga vendet evropiane edhe Jerusalemi nuk është shpallur si kryeqytet i Izraelit, por ne kemi vepruar në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare dhe në aspektin evropian. Kur vjen koha ta marrim shembull Evropën e kur vjen një moment (tjetër) kundërshtojmë edhe veprimet e Evropës. Duhet të jemi të qartë për çështje të cilat i dëmtojnë marrëdhëniet politike të jashtme të Kosovës, për këto duhet të ulemi e të bisedojmë”, ka shtuar ai.
Kishte qenë pikërisht çështja e Ambasadës së Kosovës ajo që e kishte vënë midis dy zjarresh Kurtin, pak javë më parë. Në letrat e urimit, teksa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e kishte ftuar në inaugurimin e kësaj Ambasade, presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, i kishte kërkuar ta shmangte. E në përgjigjet e tij, Kurti nuk e kishte bërë të qartë se si do të veprojë pasi të vijë në pushtet.
Duke filluar nga e hëna, kreu i LVV-së, Albin Kurti, dhe kandidatja për presidente nga kjo parti, Vjosa Osmani, kanë ftuar në takim subjektet politike që kanë siguruar ulëse në Kuvend, për të diskutuar rreth formimit të institucioneve dhe zgjedhjes së presidentit.
Ditë më parë, zëdhënësi i këtij subjekti politik, Përparim Kryeziu, i kishte thënë KOHËS se në koalicionin qeverisës do t’i ftojnë vetëm disa nga deputetët që përfaqësojnë komunitetet joserbe.
“Me rezultatet e shpallura nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje ka gjithsej 58 deputetë dhe unë besoj që ky numër bashkë me disa nga deputetët e pakicave joserbe do të jenë të mjaftueshëm për formimin e institucioneve, fillimisht qeverisëse”, kishte thënë ai.
Vetëvendosja tashmë e ka punë të kryer gjysmën e përbërjes së Kuvendit. Me Elbert Krasniqin e Emilja Rexhepin, që përfaqësojnë komunitetet, bëjnë saktësisht 60 deputetë.
KOHA e ka pyetur LVV-në rreth qëndrimeve karshi kërkesave të KDTP-së për koalicion, por nuk ka marrë përgjigje.