Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputetët të pakënaqur me raportin e AUV-it

Me një përmbledhje prej dy faqesh për cilësinë e farërave dhe plehrave, ka raportuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë para Komisionit për Bujqësi, raporton KTV.

E anëtarë të saj kanë akuzuar inspektorët e agjencisë se nuk po arrijnë ta menaxhojnë situatën.

Kjo meqë të dhënat nga terreni nuk po përputhen.

Gruri ka ulje të rendimentit, derisa të dhënat e mostrave të marra nga importi i farës dhe plehut, gjatë importit në kufi, dalin të jenë në rregull.

Por përfaqësues të AUV-it kanë thënë se importi në kufi zbatohet 100 për qind. Në gjashtëmujorin e parë, ata kanë thënë se kanë bërë analizat e 45 mostrave të farave dhe 150 mostrave të plehut.

Por në të njëjtën periudhë janë importuar tonelata fara dhe pleh. Për këtë, deputetët kanë kërkuar një raport më të detajuar të punës së inspektorëve të AUV-it. Si dhe kanë paralajmëruar se do të kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë që të ndajë buxhet për analizimin e farave dhe plehut në treg për t’i ballafaquar me ato të agjencisë.