Ka dështuar edhe përpjekja i 27-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sërish nuk ka pasur kuorum për formim të komisionit për zhvillim të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. 50 deputetë votuan pro këtij komisioni, asnjë votë kundër e asnjë abstenim. Që nga hapja e seancës konstituive më 15 prill, kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka dështuar të zgjidhet 6 herë radhazi, ndërkaq të enjten dështoi për të 19-n herë formimi i Komisionit për votimin e fshehtë.
Kryeziu: Pranojmë vetëm Hasanin e Jasharin si nënkryetar, ndaj LDK-së kemi “reciprocitet”
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu, ka deklaruar se kjo parti i voton për nënkryetarë të Kuvendit vetëm deputetët Nait Hasanin dhe Sala Jasharin e PDK-së.
Kryeziu tha para mediave se ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), VV-ja ka vendosur “reciprocitet”, duke mos ia votuar asnjë kandidat për nënkryetar të Kuvendit.
“Ne gjithmonë kemi marrë pjesë në votim...Është qëndrim i yni që s’do të votojmë asnjë emër tjetër për nënkryetar në radhët e PDK-së, por Nait Hasanit e Sala Jasharit. Ndërkohë, që edhe ne kemi reciprocitet ndaj LDK-së dhe s’e pranojmë asnjë propozim nga ana e tyre”, ka deklaruar Kryeziu.
Bajrami: Institucionet të konstituohen bazuar në rezultatin zgjedhor, s’ka nevojë të përsëriten zgjedhjet
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se tani për tani nuk ka nevojë që të mbahen zgjedhjet dhe se institucionet duhet të konstituohen bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Ne vetëm sa e kemi kaluar një proces të zgjedhjeve nacionale, duhet të bëhet konstituimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk kemi nevojë që ta përsërisim një proces zgjedhor sepse nuk mund të priten aq shumë ndryshime të mëdha ... Ne kemi pasur zgjedhje nacionale, nuk ka kurrfarë arsyeshmërie që në pamundësi ose në mungesë të vullnetit politik nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për të gjetur rrugën e bashkëpunimit me partitë e tjera parlamentare, për ta përsëritur edhe një herë procesin zgjedhor”, ka theksuar Bajrami, pas dështimit të 27-të për konstituim të Kuvendit.
Ajo ka thënë se LDK-ja ka treguar se nuk mund të bashkëqeverisin me LVV-në. “Por meqenëse të gjitha parashikimet janë që në do të kemi zgjedhje të reja në mars, kur vije radha e zgjedhjes së presidentit, kemi propozuar një qeveri gjithëpërfshirëse, kalimtare me një agjendë të caktuar”, ka shtuar Bajrami.
Ajo është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe nacionale në të njejtën kohë.
“Bashkimi i dy palë zgjedhjeve në një periudhë të caktuar do të shkaktonte probleme të mëdha dhe po ashtu mundësi që zgjedhjet e tilla mandej edhe të mos pranohen nga ndonjë parti”, është shprehur Bajrami.
Dështimi i 27-të
Ka dështuar edhe përpjekja i 27-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Sërish nuk ka pasur kuorum për formim të komisionit për zhvillim të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
50 deputetë votuan pro këtij komisioni, asnjë votë kundër e asnjë abstenim.
Që nga hapja e seancës konstituive më 15 prill, kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka dështuar të zgjidhet 6 herë radhazi, ndërkaq të enjten dështoi për të 19-n herë formimi i Komisionit për votimin e fshehtë.
Haziri: S’jemi mekanizëm vote të votojmë kush çka propozon
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, nuk ka dhënë shenja për ndryshim qëndrimi sa i përket votimit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës të enjten.
Ai ka thënë se problemi zgjidhet me marrëveshje politike, jo me forma procedurale.
“Nuk ka ende marrëveshje politike, u takon atyre që kanë marrë mandat të bëjnë marrëveshje politike. Derisa po trajtohet në mënyrë procedurale, nuk zgjidhet problemi. Ne nuk jemi këtu mekanizëm vote që duhet me ardhë këtu me votu kush çka propozo, çka do. Në asnjë mënyrë me trafiku vota dhe me shantazh. Ne votojmë sipas besimit, popullit thotë ‘fol e mbushma mendjen’. Nuk është mbushë mendja hala”, ka thënë ai.
Izmaku: Presim që ditëve në vijim të ketë zgjidhje
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka deklaruar që pret të gjendet një zgjidhje për kapërcimin e ngërçit politik.
Ajo ka deklaruar para mediave që kreu i Nismës, Fatmir Limaj, s’ka pasur takime të tjera me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.
“Janë takime publike...Pres që të ketë një zgjidhje, po presim në ditët në vijim. Ne jemi aty”, ka thënë Izmaku.
E pyetur nëse pajtohet që zgjedhjet lokale të mbahen në të njëjtën datë me ato parlamentare, Izmaku tha se nuk e sheh si opsion të mundur.
“Nuk mund ta paragjykoj pasi është propozim i një partie, por besoj që s’ka qenë e ndërtuar si ide. Duket se është e pamundur. Ne kemi probleme të tjera aktuale”, u shpreh ajo.