Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e ka ndërprerë seancën pasi kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, nuk i ka marrë votat. Me arsyetimin se ai ka mundësi t’i marrë votat herën tjetër, Basha ka thënë se është më e arsyeshme të mbyllet seanca tash. Nenad Rashiqi ka konsumuar dy herët e votimit, i mbetet edhe një tjetër. Para tij në votim kanë dalë disa prej deputetëve të Listës Serbe, por asnjë nuk ka marrë votat. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë thirrje para seancës që të votohet Rashiqi për nënkryetar të Kuvendit, duke shtuar se për deputetët e Listës Serbe nuk kanë votë.
LDK-ja, AAK-ja e Nisma kritike ndaj Bashës dhe artikullit kundër UÇK-së
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi e ka quajtur Dimal Bashën “përfaqësuesin më autentik të VV-së”.
“Ky është një narracion që po i bëhet Dimalit nga partia e vet, e cila nuk po do me e shpërfaq anticitetin e VV-së. Mendoj që Dimali është përfaqësues autentik i VV-së dhe e tillë është Vetëvendosja, dhe populli duhet me e kuptu cila është qasja e të menduarit politik në Kosovë”, u shpreh ai.
Sa i përket pjesëmarrjes në votimin për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, Gashi tha se duhet pyetur Hykmete Bajrami, e cila është shefe e GP-së së LDK-së.
Sakaq, ai tha se as Nenad Rashiq e “as aj tjetri”, s’kanë dallim ndërmjet vete, dhe se nuk i voton asnjërin.
Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj tha se situata e krijuar rreth Bashës, është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Një monstrum i tillë nuk është dashur as të propozohet. Dimal Basha është fytyra e vërtetë e VV-së propozuar”, tha Kadrijaj.
E pyetur nga gazetarët se AAK-ja ka votuar për zgjedhjen për Bashën kryetar të Kuvendit, ajo tha
se nuk e ka votuar.
“Bekë Berisha e ka votuar. I ka premtuar”, tha Kadrijaj.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas publikimit të punimit të kryeparlamentarit Dimal Basha, ku përmendet në mënyrë kritike UÇK-ja. Ai ka thënë se artikulli është i papranueshëm dhe cenon rëndë vendin dhe popullin e Kosovës.
“Ai është një punim shkencor që shërben për studentë, profesorë, prokurorë, gjyqtarë, propagandistë. Është një hulumtim shkencor, i bazuar dhe i publikuar nga dy autorë. Më vjen shumë keq që një shqiptar, për të publikuar një punim shkencor, ka fyer, ofenduar, rrënuar dhe shtrembëruar vendin dhe popullin e vet. Kjo është shumë serioze, serioze është edhe natyra e artikullit”.
Balje: Kriza nuk do të tejkalohet lehtë
Deputetja boshnjake në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje, ka deklaruar se kriza politike aktuale nuk do të tejkalohet lehtë.
Ajo ka treguar edhe pse nuk e votoi Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit.
“E ka barazu Zotin me gjygym, person i drejt dhe i pastër kurrë”, ka thënë ajo. “Nuk besoj se do të dalim shpejt nga kjo krizë. Personalisht mendoj se, nëse konstituohet Kuvendi, ekziston mundësia që Dimal Basha të japë dorëheqje dhe Albulena si zëvendëse e parë të marrë postin e kryeparlamentares. Ky është një prej skenarëve. Ndërsa, për asnjë kandidat serb nuk do ta jap votën time”, është shprehur ajo./EO
Berisha: S'jam pishman për votën pro Bashës
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, para nisjes së seancës për konstituimin e Kuvendit deklaroi se nuk i vjen keq për votën e dhënë pro Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit.
Berisha ka komentuar edhe mbi kritikat se Basha ka shkruar kundër UÇK-së në një artikull të 2012-s.
“Që paska fol diçka kundër UÇK-së, goxha do njerëz kanë folur keq kundër UÇK-së këtu, tani po dalin kundër Dimal Bashës sikur po e mbrojnë UÇK-në”.
“Na jemi duke jetuar këtu, në këto rrethana, nuk jam pishman, duam t’i zgjidhim këto nyje, të ecim përpara. Këta janë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të zgjedhur me votën e këtyre qytetarëve”, u shpreh tutje Berisha./ EO
Avdyli: Është e turpshme që Kuvendi të bllokohet për Slavko Simiqin
Deputeti Haxhi Avdyli ka thënë UÇK-ja është vlerë e shenjtë e vendit dhe askush nuk mund ta njollosë, porse ka shtuar se kryetari i Kuvendit, Dimal Basha do ta sqarojë gjithë situatën.
Duke folur për zhbllokimin e Kuvendit, ka thënë se nëse opozita e deritashme ka pasur rezerva për Albulena Haxhiun si kryetare, çfarë rezerva mund të kenë për Nenad Rashiqin.
“Kam bërë apel që ky avaz i bllokimit të mos vazhdojë. Besoj që kolegët e mi nga opozita do të lirohen nga mendësia e bllokimit”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se është e turpshme që të bllokohet Kuvendi nga Slavko Simiqin.
Deputetët mblidhen në përpjekje për të zgjidhur ngërçin e dytë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot (e enjte), në përpjekjen e radhës për të konstituuar Kuvendin, e që tash po përballet me bllokadën e re. Konstituimi i Kuvendit ka mbetur peng i zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, pasi paraprakisht u zgjodhën kryetari, nënkryetarët nga partitë shqiptare, si dhe ai i komuniteteve pakicë joserbe.
Tashmë ka nisur procesi i hedhjes së shortit për të zgjedhur nënkryetarin nga ky komunitet. Por votimi u ndërpre pasi votat nuk arriti t’i marrë as deputeti i vetëm serb e që s’i takon grupit të Listës Serbe, Nenad Rashiq. Rashiq është kryetar i partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Për shkak të insistimit për ta kandiduar vetëm Slavko Simiqin për nënkryetar, Lista Serbe e refuzoi votimin brenda seancës konstituive. Simiq në tri tentime nuk i mori votat e mjaftueshme për të marrë postin. E kryeparlamentari Dimal Basha u shpreh të martën se në frymën e aktgjykimit të Kushtetueses, një kandidati i lejohet të votohet vetëm deri në tre herë në përpjekje për të marrë detyrën e kryeparlamentarit apo nënkryetarit të Kuvendit.
Pasi nuk propozoi emra të tjerë, Basha konstatoi se duhet të shkohet në votim me short. Në disa tentime nuk pati vota për deputetët e Listës Serbe, e më së afërmi numrit të shumicës ishte deputeti Nenad Rashiq. Përkrahje i dha Vetëvendosje dhe komuniteti joserb, ndërkaq PDK-ja abstenoi e LDK-ja u përmbajt nga votimi. Në votim s’morën pjesë deputetët e AAK-së dhe të Nismës.
E njohës të çështjeve juridike dhe kushtetuese kanë vlerësuar po ashtu se kryeparlamentari Basha ka bërë shkelje kur ka ndarë procedurën e votimit të dy nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve.
“Në rast se nuk votohet asnjë kandidat nga komuniteti joshumicë, përfshirë edhe Nenad Rashiqin, atëherë ka një moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e që përgjegjësia bie mbi kryetarin e ri të Kuvendit, për shkak se ai e ndërroi mënyrën e votimit. Kemi një gjendje të re jokushtetuese”, ka thënë Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Seanca e sotme nis në orën 11:00. Konstituimi nuk konsiderohet i mbyllur pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët.
Pas konstituimit kalohet në rrugën për formimin e Qeverisë.