Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputetët kërkojnë debat urgjent parlamentar për Haden

Deputetët, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Bujqësi Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor kërkuan që me urgjencë të mbahet një debat parlamentar për Haden.

Deputeti nga LDK, Adem Salihaj, theksoi se protestat e banorëve nuk do të kenë efektin serioz ngase nuk janë pritur në takim nga ministri i Mjedisit ditën e djeshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kostoja e zhvendosjes së banorëve të Hades, sipas Salihajt, është rreth 38 milionë euro. Ai shtoi se edhe Ligji për Shpronësime e zgjidhë problemin me banorët.

“Meqë po kërkohet një përshpejtim të çështjes së Hades ta provojmë të bëjmë një debat në Kuvend dhe të nxjerrim rekomandime. Të shohim edhe reagimin e Qeverisë, nëse Qeveria reagon shpejt edhe merr një vendim për dislokimin e Hades, ne nuk kemi nevojë të bëjmë projektligj. Por, nëse e shohim përsëri edhe me debat dhe rekomandime se nuk ecën përpara procesi, atëherë ne duhet ta bëjmë projektligjin”, theksoi Salihaj, raporton KP.

Deputeti Shaip Muja tha se është konkludim i përgjithshëm se në fshatin Hade nuk ka jetë dhe kushte për banim, sipas tij, edhe komuna e Obiliqit nuk ka plane dhe infrastrukturë për këtë fshat si për ujë rrymë. Muja tha se banorët e kësaj zone janë të mashtruar.

Ndërsa, deputetja nga AAK, Time Kadrijaj tha se Qeveria për momentin nuk ka vullnet për zgjidhjen e problemit të Hades, mirëpo ajo kërkoi nga Qeveria që t’iu bëjë zgjidhje banorëve të Hades ngase atje nuk ka jetë për banim.

Komisioni Parlamentar për Bujqësi u mblodh sot që të procedojë për në Kuvend Projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Deputeti nga PDK, Shaip Muja theksoi se Qeveria nuk ka paraparë buxhet për realizimin e ligjit për memorialin “Adem Jashari” , mirëpo anëtaret e Komisionit u dakorduan që me rishikim të buxhetit të futet edhe kërkesa për ndarjen e mjeteve për këtë memorial.

Deputeti Muja tha se me projektligj është paraparë që ky memorial të futet në monumentet kulturore edhe nga UNESCO. Sipas tij, kostoja e këtij projekti është rreth 7 milionë euro.

“Është një ligj që është shumë i rëndësishëm për ta konservuar komplet dhe për t’i japë pronësinë intelektuale dhe historike memorialit ‘Adem Jashari’. Mbi të gjitha unë kam kërkuar në një nen që ky memorial të futet në të ardhmen në mbrojte shtetërore edhe nga UNESCO, sepse është njëri ndër vlerat më të larta historike të kombit shqiptar... Prandaj, e kemi fut edhe një nen, i cili do ta garantoj edhe futjen në UNESCO. Po ashtu, ligji parasheh edhe një masë monetare, e cila fatkeqësisht nuk është përgatitur nga linja buxhetore... Kostoja kalon mbi 7 milionë euro”, theksoi deputeti Muja.

Anëtarët e këtij Komisioni kërkuan që në mbledhjen e ardhshme të jetë i pranishëm edhe ministri i Planifikimit Hapësinor Ferat Shala që të raportojë për ligjin e ri për legalizimin e objekteve pa leje.

Komisioni sot miratoi edhe Projektligjin për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri bërthamore, si dhe Projektligjin për zhurmat.