Deputetët gjermanë Peter Beyer dhe Christian Schmidt gjersa po qëndrojnë në Kosovë mbajtën edhe një konferencë për media.
Kanë zhvilluar takim me Albin Kurtin, kryetarin e Vetëvendosjes, e atë të LDK-së Isa Mustafa e gjithashtu me Vjosa Osmanin, por thanë se s’kanë zhvilluar negociata me ta lidhur me situatën e krijuar mes tyre rreth marrëveshjes për koalicion.
Christian Schmidt, deputet i Bundestagut, CSU tha se kjo javë është vendimtare për krijimin e qeverisë.
“Për ne është jashtëzakonisht në interes ta bëjmë të qartë se zhvillimi i Kosovës dhe perspektiva evropiane e Kosovës janë me rëndësi. Meqë vij nga EPP, ka qenë më rëndësi të vijë këtu, edhe me kërkesë të Donald Tusk. Do ta informojnë edhe Merkelin për zhvillimet sepse ajo është e interesuar çfarë po ndodhë”, tha Schmidt, raporton Koha Ditore.
Ai tha se “Nuk jemi këtu për të zhvilluar negociata për koalicionin e ardhshëm, por kemi zhvilluar takime me Isa Mustafën, Vjosa Osmanin, Albin Kurtin”.
“Për shkak të agjendës së ngjeshur nuk mundëm ta takojmë Ramush Haradinajn”, tha ai.
“Sa i përket politikës së jashtme, disa sugjerime. Kjo ka të bëjë me atë që rrugën e Kosovës drejt të BE nuk e shohim të lehtë nëse flitet për shkëmbime territoriale. Kjo është e rrezikshme. Sa i përket integrimeve, Kosova dhe Shqipëria trajtohen të ndara dhe të gjitha idetë tjera nuk qojnë në cak. Nuk është e thënë të krijohet një martesë dashurie. Për ta ilustruar këtë një preaident federal kur e kanë pyetur nëse e don vendin, ai ka thënë se e dashuron gruan e vet. Për koalicion ekziston një rregull i artë që juve mund t'iu dëshpërojë si gazetarë. Në qoftë se bisedimet për koalicione janë në vazhdim e sipër, rregulla është telefoni, jo mikrofoni. Nuk duhet folur derisa ta shohim tymin e bardhë”, tha Schmidt, duke shtuar se “Helmut Kohl na ka mësuar që në politikë të ketë mirëbesim dhe përgjegjësi”.
Ndërkaq, Peter Beyer, deputet i CDU në Bundestag, tha se duhen negociata të suksesshme.
“Të gjithë politikanët e kuptojnë rëndësinë e përgjegjësisë që e kanë pas zgjedhjeve për të themeluar qeveri stabile. Koha po mbaron prandaj duhen negociata të suksesshme. Nuk duam të ndërhyjmë se nuk është në mandatin tonë, por kemi ardhur për t'i dëgjuar dhe lënë disa porosi. Negociatat për koalicion nuk duhet të humbin në detaje teknike. Ndjemë se ka vullnet politik për ta formuar qeverinë për të mirën e qytetarëve. Nëse ka besim të ndërsjellë nuk duhet humbur në detaje teknike. Asnjëri nuk duhet të mundohet ta dobësojë tjetrin, të ketë qasje profesionale”, përfundoi Beyer.