Nga dritat e pajisjeve të bixhozit e deri te dyshimet për pastrim parash për kartelin Sinaloa. Këtë javë, administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka bërë goditje tjetër në zemër të organizatës së famshme kriminale. Departamenti Amerikan i Thesarit ka bllokuar perandorinë biznesore të familjes shqiptare Hysa dhe dhjetëra kazino që dyshohet se pastruan para në emër të kartelit.
Raporti i fundit i Rrjetit të Zbatimit të Krimeve Financiare (FinCEN) ka detajuar rrjetin kompleks që përfshin kompani fiktive, transfere multimilion-dollarëshe dhe pagesa drejt kartelit nëpërmjet lokaleve të lojërave të fatit, shkruan "El Pais".
Ajo që dukej si histori suksesi e biznesit përfshin kafene, kazino, restorante, kompani energjetike dhe zinxhirin e veshmbathjeve, doli të jetë makth. Familja shqiptare Hysa dhe 20 prej kompanive të saj tani janë në shënjestër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër karteleve meksikane.
“Grupi i organizuar i krimit, Hysa, i përbërë nga Luftari, Arbeni, Ramizi, Fatosi dhe Fabjoni, ka përdorur ndikimin e vet, përmes investimeve dhe bizneseve të ndryshme në Meksikë, të shpërlajnë paratë e drogës. Ky grup kriminal besohet se ka operuar me pajtim të Kartelit Sinaloa”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Thesarit.
Për shkak të këtyre dyshimeve, administrata Trump ka bllokuar financiarisht gjashtë anëtarë të kësaj familje, bashkëpunëtorin e tyre meksikan Gilberto Lopez dhe rreth 20 nga kompanitë e grupit në Meksikë, Kanada dhe Poloni.
Sipas hetimeve në SHBA, Luftar Hysa 57-vjeçar është figurë kyçe e organizatës dhe vazhdimisht udhëton mes Meksikës dhe Kanadasë. Sipas Departamentit të Thesarit, Arben Hysa është tjetër lojtar kyç për shpëlarje parash. Ai është drejtor i disa kompanive brenda grupit. Për më shumë, autoritetet amerikane dyshojnë se Fatosi dhe Fabjoni ishin të përfshirë në përdorimin e një biznesi me bazë në Evropë për t’u pasuruar duke pastruar para që u përkisnin trafikantëve të drogës. Pas hetimeve, Thesari ka njoftuar se do t’i ngrijë të gjitha asetet e tyre në SHBA dhe ua ka ndaluar shtetasve amerikanë të kryejnë transaksione me këto biznese.
Nuk është hera e parë që kjo familje ndërlidhet me kartelin Sinaloa. Më 2022, Luftar Hysa kishte folur kundër raportimeve. Atë kohë ai mohonte lidhjet me aktivitete ilegale. Biznesmeni dhe inxhinieri pati thënë se ka emigruar në Meksikë më 2004 për t’i ikur krizës që po përjetonte shteti i tij.
“Unë, Luftar Ali Hysa, kurrë i dënuar, asnjëherë i ndjekur, e asnjëherë i arrestuar, deklaroj se kurrë në jetë nuk kam pasur probleme me ligjin. Të gjitha problemet në jetën time kanë qenë me padrejtësitë”, pati thënë ai, duke u lavdëruar se ka punësuar më shumë se 1500 persona në Meksikë.
Por sipas autoriteteve amerikane, klani Hysa ka orkestruar një sistem kompleks duke kombinuar kazinotë, restorantet e kompani të tjera për të pastruar para nga karteli Sinaloa. Sipas Zyrës për Kontroll të Aseteve të Jashtme (OFAC), ky model ka fuqizuar organizatën që deri vonë udhëhiqej nga mafiozi me nam El Chapo. Departamenti Amerikan ka detajuar se Luftari, Fatosi, Arbeni dhe Fabjoni kanë bashkëpunuar me një shtetas amerikan për të pastruar para, përfshirë dërgimin e shumave të mëdha të parave nga Meksika në SHBA.
Dyshimet për pastrim para kanë qenë të kamotshme. Mafia shqiptare dyshohet se operon kryesisht në portet më të mëdha evropiane dhe aty fillojnë pastrimin e parave nga fitimi prej trafikut të drogës.
Në kuadër të bizneseve të tyre, në Meksikë dhjetëra kazino janë në shënjestër për dyshime për pastrim parash të miliona dollarëve për Kartelin e Sinaloas. Sipas raporteve, menaxherët e këtyre kazinove merrnin udhëzime nga Karteli i Sinaloas se si t’i shmangnin kontrollet kundër pastrimit të parave. Atyre u lejoheshin maksimumi dy depozita në llogari të caktuara, jo më shumë se 4400 euro. Po ashtu tërheqja e parave bëhej personalisht në disa kazino të caktuara.