21:15 - Demarkacioni nuk është më vetëm një marrëveshje e lënë në sirtarët e qeverisë së Kosovës. Vija kufitare mes Kosovës e Malit të Zi tash është përcaktuesi i vazhdimit të qeverisë Haradinaj ose shpërbërjes së Parlamentit, sipas opinionistëve.
Në Rubikon të KTV-së opinionistët e kanë vënë në pikëpyetje vazhdimin e qeverisë.
Mufail Limani tha se në rast të mosvotimit të kësaj marrëveshje atëherë s’ka asnjë kuptim që kjo qeveri të vazhdojë.
“Ne jemi lojalë ndaj qeverisë e cila sjell vendime në interes të shtetit”, ka thënë Limani.
“Mirëpo do të jetë problem që zgjedhjet të krijojnë zgjidhje sepse i patëm zgjedhjet”, ka thënë Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së.
Duke qenë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë distancuar nga qëndrimi kundër votimit të marrëveshjes, opinionisti Rrahman Paçarizi e konsideroi një kartë të rëndësishme për të zgjedhur krizën brenda subjektit.
“Kjo situatë me situatën brenda LVV-së është njëfarë xhokeri që i ka ardhur në dorë për mobilizimin e strukturave të tyre. Kjo është një letër shumë interesante që ju ka ardhur në dorë, secila parti po bën shumë për interesa vetanake”, ka thënë Paçarizi.
Madje ai tha se demarkacioni nuk ishte fare kauzë e VV-së.
“Ata e kishin kauzë asociacionin”, theksoi ai.
Ndryshe nga Paçarizi, Kryeziu tha se ka vërejtur një ndryshim në deklaratat e zyrtarëve të VV-së, të cilët kanë dhënë skenarë alternativë.
“Vetëvendosja ka ndërruar kurs për sa jemi mësuar brenda tri viteve”, ka thënë Kryeziu.
Opinionistët njëzëri se marrëveshja e demarkacionit duhet të kalojë
20:48 - Sipas Ismet Kryeziut, drejtor ekzekutiv i KDI-së, Kosova nuk mund të gjejë zgjidhje tjetër pos që të votohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.
Për ratifikim të kësaj marrëveshjeje është edhe opinionisti Mufail Limani.
Ai në Rubion të KTV-së ka thënë se i beson në tërësi raportit të komisionit Meha, i cili bie në kundërshtim me kauzën e opozitës së kaluar, se Kosova po humb territor.
“Parimi kadastral është parimi kryesor dhe nuk ka paqartësi, tjetër është që deputetët duan të krijojnë paqartësi. As hartat nuk janë parim”, ka thënë Limani.
Seanca për shqyrtimin dhe hedhjen në votim të Projektligjit të Demarkacionit ishte paraparë të mbahej sot në orën 11. Por, në mungesë të marrëveshjes për t’i siguruar votat, koalicioni qeverisës, në pajtim me LDK-në, kanë shtyrë për nesër këtë seancë.
“Thirrja e seancës për demarkacion e gabuar - AAK sërish fajtore”
Thirrja për seancë të jashtëzakonshme për votimin e Marrëveshjes së Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës konsiderohet të ketë qenë hap i gabuar.
Jehona Lushaku – Sadriu, profesoreshë në Departamentin e Shkencave Politike dhe njohëse e proceseve integruese në BE, ka thënë se ka pasur hapësirë për diskutim duke parë se nuk kanë arritur kompromis.
“Qëndrimet kanë qenë shumë të ndara, madje edhe brenda partive politike. Nuk janë zgjedhur të gjitha mjetet. Është shpenzuar shumë kohë, tri vjet. I ka ngulfatur të gjitha temat tjera për të cilat parlamenti ka pasur hapësirë t’i diskutojë. Përderisa e shohim që nuk ka kompromis atëherë është dashur të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje para se ta thirrin seancë e jashtëzakonshme”, ka thënë Lushaku.
Ndërsa opinionist Rrahman Pacarizi fajtor për një gjendje të tillë e sheh, siç thotë ai, “përsëri Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”.
“Situata përsëri është peng i AAK-së pasi insistimi për ta futur edhe raportin e komisionit të profesorit Bulliqi, duke qenë se është marrëveshja e cila nuk e ka rëndësinë e njëjtë pasi ka qenë komisioni i cili është dashur ta vlerësojë punën e komisionit Meha”, ka thënë ai.