Departamenti Amerikan i Shtetit nuk e ka komentuar qëndrimin e John Boltonit, Këshilltar për Siguri Kombëtare i presidentit Donald Trump.
Sipas Zërit të Amerikës, në DASH kanë thënë se nuk kanë çfarë t’u shtojnë deklaratave të Boltonit, raporton KTV.
Të premten në Ukrainë, njeriu që disa herë kishte folur kundër pavarësisë së Kosovës, tha se SHBA-së nuk do t’i pengonte shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, nëse palët pajtohen për diçka të tillë.
Ndërsa në një intervistë për N1, ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së për Kosovën, Wolfgang Petritsch, ka thënë se është i nevojshëm një korrigjim i vogël i kufirit mes dy shteteve – sikur ai me Malin e Zi.
Sipas tij, është e rëndësishme që zgjidhja të propozohet nga palët e përfshira.
Edhe
Deklarata e Boltonit për shkëmbim territoresh, qëndrimi zyrtar i DASH-it
Por, idenë e ndryshimit të kufijve nuk e përkrah Gjermania.
Sipas analistit dhe profesorit Daniel Server, është keq kur amerikanët dhe evropianët dallojnë në qëndrimet e tyre për Ballkanin.
Idetë për ndryshim kufijsh e shkëmbim territoresh i ka kundërshtuar edhe ministri Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Në një intervistë për “Panoramën”, Bushati ka thënë se statusi i Kosovës nuk mund të rihapet as në format dypalësh e as shumëpalësh dhe aq më tepër të bëhet objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në “konflikte të ngrira”, si pasojë e tolerimit të “parimit të rivendosjes”.
Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se deklaratat e pamatura dhe të rrezikshme të presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve, kanë krijuar hapësirë për ri-formësim të pritjeve edhe në adresa të caktuara në rrafshin ndërkombëtar se mund të arrihet një marrëveshje finale që i kënaq apetitet e palës serbe.
Edhe
Bolton: SHBA-ja do të ndihmojë Kosovën e Serbinë drejt qëllimit historik
Sipas Bislimit, palë në dialogun me Serbinë duhet të jetë populli i Kosovës, e jo, siç është shprehur ai presidenti i zgjedhur nga një kuvend stërmbushur me forca speciale.
Bislimi ka shtuar se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, të kërkojë falje për krimet e luftës, agresionin e gjenocidin dhe të shprehë gatishmëri për të paguar dëmshpërblimin për humbjet dhe vuajtjet e shkaktuara.