Kuvendi i Kosovës, jo vetëm që është ndër institucionet që gëzon më së paku besim në opinion, por kohët e fundit është shndërruar në arenë përplasjesh verbale me fjalor të degraduar ndërmjet deputetëve të partive të ndryshme, kryesisht ndërmjet atyre në pushtet dhe opozitë, por të cilat jo rrallë janë përshkallëzuar deri në përplasje fizike, vlerësojnë përfaqësues të organizatave joqeveritare që mbikëqyrin punën e kuvendit, si dhe njohës të zhvillimeve politike.
Të martën, më 28 korrik, përplasja verbale ndërmjet deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca dhe dy deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala dhe Arben Gashi, është raportuar të ketë përfunduar si përplasje fizike ndërmjet tyre. Për më shumë, deputeti Gjyshinca e ka paraqitur këtë rast në Policinë e Kosovës si sulm fizik ndaj tij, ku i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore, raporton REL.
Debatet (jo) parlamentare
Por, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përplasja fizike ndërmjet deputetëve në Kuvendin e Kosovës, më 28 korrik, është vetëm rasti i fundit, i cili pasqyron degradimin e sjelljeve të deputetëve.
“Rasti i deputetit Gjyshinca me dy deputetët e LDK-së, (Arben) Gashi dhe (Kujtim) Shala, është vetëm një ndër shumë rastet e tilla, kur deputetët, në vend të gjuhës së argumentit dhe bashkëpunimit për çështje me interes kombëtar, kanë zgjedhur dhunën apo sjelljet e pahijshme parlamentare, si mënyrë e zgjidhjes së mospajtimeve politike”, theksoi Cakolli.
Analistja e çështjeve politike, Donika Emini, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që sjelljet joetike të deputetëve, të cilat përfundojnë edhe me përplasje fizike, janë dëshpëruese dhe zhgënjyese për opinionin dhe qytetarët që i kanë zgjedhur. Siç thotë ajo, përbërja e tashme e Kuvendit të Kosovës, krahasuar me legjislaturat e kaluara, ka më shumë deputetë të rinj, për të cilët është besuar që do të sjellin frymë ndryshimi dhe bashkëpunimi, jo vetëm në kuvend, por përgjithësisht për poetikën në Kosovë.
Megjithatë, sipas Eminit, ka ndodhur krejt e kundërta dhe gjuha parlamentare, si dhe sjelljet e deputetëve kanë degraduar në masë mjaft të madhe, duke sjellë edhe polarizim të skajshëm ndërmjet partive politike.
“Fjalimet dhe argumentet janë në nivelin personal. Do të thëtë që ka degradim, deri në nivelin e sulmit fizik ndaj kryetares së kuvendit, që ka qenë ndoshta njëra nga skenat më shqetësuese, të cilat i kemi parë në kuvend që nga paslufta. Së dyti, është edhe degradimi i gjuhës parlamentare, ku ministrat u drejtohen deputetëve, sikurse me qenë deputetët fëmijë të retarduar, ku ministrat japin leksione për diplomaci ose japin edhe diagnoza për COVID-19. E gjithë kjo ndodhë para syve të qytetarëve, në gjendje pandemie, ku gjithçka është duke u përjetuar më rëndë se sa zakonisht”, theksoi Emini.
Më 11 korrik, seanca e Kuvendit të Kosovës u ndërpre pas një përplasjeje verbale në mes të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj dhe kryetares së kuvendit, Vjosa Osmani.
“Ndaj deputetit që më ka kërcënuar fizikisht dhe me gjuhë banale të paprecedent për një institucion si kuvendi, kam hapur rast në polici”, ka shkruar Osmani në Facebook.