Një shpërthim ka ndodhur në pjesën veriore të Mitrovicës të premten mbrëma, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Siç kanë thënë banorët e Mitrovicës së Veriut, shpërthimi është dëgjuar në Lagjen e Boshnjakëve, por edhe në zonën afër spitalit.
Zëdhënësi i Policisë, Besim Hoti, ka thënë shkurt se bëhet fjalë për shpërthim të një mjeti piroteknik, por se s’ka dhënë detaje të tjera.
Edhe në raste të kaluara nga Policia kanë thënë se shpërthimet po bëhen nga mjete piroteknike, por më vonë u kuptua se bëhej fjalë për shok-bomba.
Në tri ditët e fundit, Policia në veri është përballur me sulme të vazhdueshme nga persona të panjohur, në kohën kur po bëhen përgatitjet që në katër komunat e veriut të organizohen zgjedhjet për kryetarë komunash. Të martën në Zubin-Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, nga persona të panjohur. Si pasojë e kësaj atyre u është pamundësuar vazhdimi i procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri. Sulme në veri ka pasur edhe të mërkurën.
Të enjten, u vendos për shtim të pranisë së Policisë së Kosovës në këtë zonë. Pas shtimit të forcave policore, Serbia ka kërcënuar me dërgim të Ushtrisë së saj drejt Kosovës. Në mbrëmjen e së enjtes u plagos një polic në Zveçan.
Zgjedhjet po mbahen pas dorëheqjes së kryetarëve të shkuar në nëntor, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që t’i dënojë pronarët e veturave me targa ilegale, të lëshuara nga Serbia. Pak ditë pas dorëheqjes, Kosova e Serbia arritën pajtim për çështjen e targave.