Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Daut Dauti i bashkohet VV-së

Daut Dauti i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Me këtë aderim, kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se “në na thellohet dija e na zgjerohen njohuritë, përveçse i përforcojmë përparësitë tona ideore e programore”.

Kurti ka treguar se Dauti ka doktoruar në shkollën e cila gëzon reputacion të lartë për studime të historisë, në Universitetin e Leedsit (University of Leeds) në temën: "Britain, the Albanian Question and the Demise of the Ottoman Empire 1876 - 1914" (Britania, çështja shqiptare dhe rënia e Perandorisë Otomane 1876-1914) e se studimet e magjistraturës i ka kryer në West London University (ish Thames Valley University) ku ka studiuar Bashkimin Evropian, kurse Fakultetin Juridik e ka përfunduar në Prishtinë.

Dauti në të kaluarën ka qenë edhe gazetar. Kurti ka treguar se Dauti shkrimet e para i kishte botuar në gazetën e studentëve “Bota e Re” dhe pastaj ka vazhduar në gazetën “Zëri”. Nga viti 1994 deri më 1999 ka raportuar nga Londra si korrespondent i “Zëri”-t, dhe, nga viti 1998 ka punuar si gazetar dhe redaktor në IWPR (Instituti për Raportime të Luftës dhe Paqes) në Londër, si dhe është themelues i kësaj zyre në Kosovë.

“Në të kaluarën, nga viti 2000 deri më 2002, Dauti ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve dhe anëtar i Këshillit Qendror të Zgjedhjeve ku ka përfaqësuar mediat. Gjatë kësaj kohe ka qenë Sekretar i Shoqatës për Mendim dhe Veprim të Lirë të cilën e ka udhëhequr Adem Demaçi. Ai gjatë vitit 2004 ka qenë zëdhënës i Qeverisë (kryeministrit) të Kosovës. Pastaj ka kaluar në pozitën e konsulentit për media në IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migrim) në Londër. Në Kettering Foundation, një institut (think tank) i njohur amerikan për studime të politikës, gazetarisë, arsimit dhe demokracisë, i bazuar në Dejton (ShBA), Dauti ka studiuar çështjen e mediave në Kosovë, subjekt për të cilin ka botuar një varg librash dhe punimesh shkencore. Ai vazhdon të jetë anëtar i ekipit hulumtues shkencor i këtij instituti ku ka botuar punimet 'Si të ndërtohen mediat e pavarura në Kosovë', ‘Kuvendimi sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit’, 'Procesi i lashtë i vendimmarrjes në mesin e shqiptarëve', etj”, ka shkruar më tej Kurti në Facebook gjatë prezantimit të Dautit.

Edhe Kurti sinjalizon “ndërmarrje të gjerë” me LDK-në Arbëri 2 j. më parë Kurti sinjalizon “ndërmarrje të gjerë” me LDK-në

Kurti ka thënë se Dauti ka botuar edhe punime (libra) tjera shkencore të bazuara në arkiva të ndryshme, kryesisht të arkivit kombëtar në Londër dhe ku trajtohet historia e diplomacisë britanike ndaj çështjes shqiptare dhe Ballkanit.

“Me shkrimet në shtypin britanik dhe paraqitjet në mediat (televizionet dhe radiot) britanike është i njohur për debatet që për temë kanë Kosovën dhe Ballkanin. Me paraqitjet e tija publike dhe botimet e ndryshme konsiderohet edhe si njohës i politikës së jashtme britanike ndaj Ballkanit, e kryesisht ndaj hapësirës shqiptare”, ka shtuar ai.