Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dasmat pritet të lejohen nga 1 korriku

Dasmat do të mund të mbahen në Kosovë duke nisur nga data 1 korrik. Ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Vesel Krasniqi, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se kanë përpiluar një udhëzues dhe planifikojnë që nga java e ardhshme të lejohet organizimi i dasmave.

“Ashtu siç e kemi biseduar në takimin me zëvendëskryeministrin. Kemi marrë rekomandimet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe MSH-ja për të përpiluar një udhëzues për gastronominë dhe pishinat. Në bazë të rekomandimeve, besoj do të kemi një takim tjetër dhe besoj se siç jemi dakorduar, nga data 01.07 do të fillojmë të punojmë në bazë të udhëzimeve siç do të jepen”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se mund të procedohet me këtë çështje, duke e vlerësuar situatën epidemiologjike edhe gjatë kësaj jave.

Me të nisur pandemia e koronavirusit, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të mos lejohej funksionimi i kafeneve dhe të mos lejohej organizimi i dasmave. Një muaj më parë, u vendos që të lejohej funksionimi i kafeneve, por jo edhe ai i sallave të dasmave. Për këtë pati edhe protesta të një grupi të artistëve dhe pronarëve të sallave.

Artikuj të ngjashëm