Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Daniel Serwer në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 61-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është profesori amerikan Daniel Serwer.
 

Serwer: Parandalimi i luftës civile ishte një nga gjërat më të mira që kam bërë në Kosovë

16 o. më parë / 19 kor 2026 21:01
Daniel Serwer

Profesori amerikan Daniel Serwer ka thënë se një nga arritjet më të rëndësishme të angazhimit të tij në Kosovë ishte përpjekja për të parandaluar një luftë civile në periudhën pas përfundimit të luftës, duke nxitur dialogun ndërmjet përfaqësuesve të UÇK-së, LDK-së dhe shoqërisë civile.

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Serwer kujtoi takimet që organizoi me përfaqësues të sferave të ndryshme të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë, me synimin që ata të bashkëpunonin mes vete dhe të kuptonin se periudha e pasluftës kërkonte politikë e dialog, e jo armë.

Ai zbuloi se ish-presidenti Hashim Thaçi i kishte thënë vite më parë se pikërisht takimi në Lansdowne, në shtetin amerikan të Virginias, ishte momenti kur ai dhe pjesëtarët e tjerë të UÇK-së e kuptuan se lufta kishte përfunduar dhe se duhej të kalonin në politikë.

Serwer vlerësoi si të jashtëzakonshëm faktin që UÇK-ja hoqi dorë nga armët dhe u përfshi në procesin politik, duke theksuar se raste të tilla kanë qenë të rralla në konfliktet e tjera.

“Por, të bëja që njerëzit e OJQ-ve, të UÇK-së dhe të LDK-së të flisnin me njëri-tjetrin ishte një nga gjërat më të mira që kam bërë ndonjëherë. Në atë kohë në Kosovë po ziente një luftë civile... Arsyeja pse e bëmë takimin në Lansdowne ishte për të parandaluar luftën qytetare. Dhe mendoj se ia dolëm”, ka thënë Serwer.
 

Serwer: Amerika që e keni admiruar nuk është në pushtet sot

17 o. më parë / 19 kor 2026 20:38
Daniel Serwer

Profesori amerikan Daniel Serwer ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara që Kosova ka admiruar dhe është përpjekur t’i marrë si model nuk janë më në pushtet, duke vlerësuar se administrata aktuale përfaqëson një shkëputje nga tradita liberale demokratike që ka karakterizuar SHBA-në pas Luftës së Dytë Botërore.

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Serwer ka thënë se “Amerika” që shumë vende evropiane e kanë parë si shembull vazhdon të ekzistojë, por jo në qeverisje.

“Duhet ta kuptoni se SHBA-ja që ka ekzistuar, që e keni admiruar, që donit ta imitonit, ‘L’America’, nuk është në pushtet sot. Nuk është se nuk ekziston. Ekziston... Amerika juaj ende ekziston në shumë vende, por nuk është në pushtet”, ka thënë ai.

Sipas Serwerit, kjo është hera e parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore që një administratë liberale demokratike nuk ndodhet në pushtet në SHBA.
Por ka thënë se në shtete amerikane ky koncept vazhdon të ekzistojë.

“Në distriktin tim, Columbia, 92% votuam për Kamala Harrisin. Duam të shohim një demokraci liberale me të drejta të barabarta individuale. Nuk duam që Gjykata Supreme të vendosë t’i eliminojë të gjithë anëtarët me ngjyrë të Kongresit duke lejuar ridistrikcionin që është hapur racist. Amerika juaj ende ekziston në shumë vende, por nuk është në pushtet”, shtoi ai. 
 

Serwer: Lufta e dytë kundër Iranit dëshmoi dobësinë amerikane

17 o. më parë / 19 kor 2026 20:36
Daniel Serwer

Profesori amerikan Daniel Serwer ka vlerësuar se lufta e dytë kundër Iranit ishte një gabim strategjik që, sipas tij, ekspozoi dobësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe paaftësinë e tyre për të parashikuar pasojat e veprimeve ushtarake.

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Serwer ka thënë se, ndonëse lufta e parë kundër Iranit mund të argumentohet se pati ndikim pozitiv duke dëmtuar programin bërthamor iranian, lufta e dytë ishte “çmenduri”.

“Lufta e dytë vërtet dëshmoi dobësinë amerikane. Është një demonstrim gjigant i dobësisë amerikane, paaftësisë në anën diplomatike, por edhe një paaftësie për të parashikuar pasojat e veprimeve të saj”, ka thënë Serwer.

Sipas tij, veprime të tilla e kanë dobësuar SHBA-në në mënyrë dramatike dhe kanë krijuar hapësirë për kundërshtarët e saj.

Serweri shtoi se debatet mbi prioritetet e politikës së jashtme amerikane, përfshirë ndihmën e huaj dhe balancën mes Azi-Paqësorit, Evropës dhe Hemisferës Perëndimore, janë të nevojshme, por theksoi se ato nuk duhet të çojnë në vendime që dobësojnë pozicionin e Shteteve të Bashkuara.