Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka, ka thënë se, pavarësisht numrit të vogël të votuesve në veri të Kosovës, kryetarët e komunave atje do të zgjidhen, nëse procesi është i rregullt dhe se përsëritje mund të ketë vetëm nëse dëmtohet procesi.
“Përsëritje [të zgjedhjeve] nuk do të ketë, veç nëse dëmtohet procesi, atëherë po. Por, në rrethana të rregullta, në rrethana kur qytetarët dalin e votojnë dhe kryejnë detyrën e tyre, mbyllen vendvotimet, numërohen votat... Përsëritje nuk do të ketë”, ka thënë Daka për Radion Evropa e Lirë.
Deri në orën 15:00, në nivel të përgjithshëm në katër komunat në veri kanë votuar vetëm 2.4 për qind.
Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila vetë nuk merr pjesë në zgjedhje, ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit. Në këtë qëndrim, ajo ka pasur edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar.
“Me këtë mosdalje në zgjedhje, serbët janë duke e përcjellë një mesazh te Qeveria e Kosovës, se ata nuk do t’i pranojnë kryetarët, të cilët dalin nga këto zgjedhje”, ka thënë Daka.
Sipas saj, zgjedhjet janë organizuar dhe po mbahen sipas të gjitha rregullave ligjore.
Edhe
Skepticizëm për suksesin e procesit të votimeve në veri
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka ftuar më herët qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e votës dhe në këtë mënyrë t’i zgjedhin, siç tha, përfaqësuesit e tyre dhe t’i ndërtojnë institucionet legale demokratike.
Në veri janë rreth 45.000 qytetarë me të drejtë vote për të zgjedhur kryetarët e rinj në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, së bashku me kuvendet komunale në Zveçan dhe Leposaviq.
Të gjitha këto komuna mbajnë lidhje të ngushta me Beogradin, i cili vazhdon të kundërshtojë pavarësinë dhe institucionet e Kosovës.