Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Daçiq: Në Bruksel këto ditë do të merren vendime për luftë apo paqe

Ish-kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë për Tanjug se në Bruksel këto ditë do të merren vendime për luftë apo paqe në Kosovë.

“Të gjitha subjektet politike në Serbi duhet të jenë të bashkuara në mbështetjen e tyre për presidentin Vuçiq këto ditë, kur praktikisht po merren vendime për luftë apo paqe në Kosovë e M.”, ka thënë Daçiq, që është kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë.

Daçiq ka thënë se është i bindur se “Vuçiqi do ta ruajë paqen”.

“Jam i sigurt se Aleksandar Vuçiq në mënyrën më të mirë të mundshme do ta ruajë paqen dhe do t’i mbrojë interesat tona shtetërore dhe kombëtare në takimet e ardhshme në Bruksel. Njëkohësisht u bëj thirrje përfaqësuesve të Bashkimit Evropian që të tregojnë qartë se Prishtina nuk respekton asnjë marrëveshje nga Brukseli, përfshirë edhe Marrëveshjen e Brukselit në përgjithësi, duke refuzuar formimin e Asociacioneve të Komunave Serbe dhe me vendimet e njëanshme po rrezikon paqen”, ka thënë Daçiq.

Vuçiq takohet të mërkurën (sot) në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Të enjten do të jetë takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Vuçiq në kuadër të dialogut të ndihmuar nga Bashkimi Evropian.